Ish ministri i financave Xhevdet Hajredini, i cili një kohë të gjatë i analizon ngjarjet politike në Maqedoni, vlerëson se tentimi i kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, që brenda natës ta pastrojë oborrin e vet, nuk do të ndihmojë në përmirësimin e imazhit të partisë. Në një deklaratë për “Utrinski”, ai është decid se Ahmeti, me propozimet e kandidatëve të rinj, assesi nuk mund ta përmirësojë dëmin që e bënë “kuadrot e vjetra” të BDI-së, të cilët në esencë ishin edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
“Madje nuk përjashtohet mundësia që Ahmeti të përballet edhe me një krizë të thellë brenda partisë, sepse të gjitha kuadrot që tani mundohet t’i distancojë nga BDI-ja, nuk mbajnë përgjegjësi të njëjtë për gjendjen në të cilën tani gjendet partia dhe për dëmet që i ka bërë si parti qeveritare. Pas thuajse 15 viteve pushtet, në BDI nuk u pasuruan të gjithë njësoj. Dy-tre u pasuruan më tepër se të tjerët”, është decid Hajredini dhe thekson se Ahmeti nuk mundet t’i pastrojë të gjithë rreth veti, e të mbetet vetëm ai dhe të deklarohet si politikan i vërtetë që gjithnjë ka sjellur vendime të drejta, transmeton Gazeta Lajm.
Pas tetë viteve koalicion, lideri i BDI-së sipas gjitha gjasave e mori përvojën e partnerit të tij Nikolla Gruevski, prandaj deri në momentin e fundit i ruan në fshehtësi të madhe kandidatët për deputetë. Madje nuk kumtohen as bartësit e listave të kandidatëve për deputetë./ina