Haradinaj nderon aktivisten e njohur serbe Natasha Kandiç: Ja pse e meriton

Kryeministri Ramush Haradinaj ka nderuar me “Hartën e Artë të Kosovës”, aktivisten serbe për të drejtat e njeriut në Beograd, Natasha Kandiç.

Haradinaj tha se të veprohet në një mjedis të pasigurt dhe të mos ndahen viktimat e dhunës sipas përkatësisë etnike por të kërkohet drejtësi për to, është jo vetëm humanizëm i pashoq, por edhe guxim qytetar e njerëzor.

“Natasha Kandiç me Fondin për të Drejtën Humanitare ka publikuar të dhënat më të sakta deri më tani për të vrarët në luftën e Kosovës dhe në shenjë nderimi për kontributin e madh, sot ia dedikova ‘Hartën e Artë të Kosovës’, duke e falenderuar për gjithçka që ka bërë për ta ndriçuar të vërtetën”, ka shkruar Haradinaj në Facebook, ku i ka bashkangjitur edhe një foto nga takimi.

Kandiç është drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Beograd, një organizatë për të drejtat e njeriut e cila vlerësohet për hetimet e saj sistematike dhe të paanshme për abuzimet e të drejtave të njeriut.

Që nga fillimi i luftërave jugosllave në fillim të viteve 1990, ajo ka dokumentuar dhe protestuar kundër krimeve të luftës të kryera midis viteve 1991 dhe 1999, duke përfshirë torturën, përdhunimin dhe vrasjen. /tesheshi.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu