Tre gazetarë në Francë janë marrë në pyetje nga Departamenti i Inteligjencës së Brendshme (DGSI) për “zbulim të sekretit të sigurisë kombëtare” për shkak një raportimi sipas të cilit armët që vendi i ka shitur Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) përdoren në luftën e Jemenit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mediumet Mediapart, Arte Info, Disclose dhe Konbini njoftuan në një deklaratë të përbashkët se nën dyshimin “zbulim i sekretit të sigurisë kombëtare”, Prokuroria e Parisit ka hapur një hetim preliminar me kërkesë të Ministrisë së Brendshme.
Në deklaratë thuhet se tre gazetarët në të njëjtën kohë janë marrë në pyetje nga DGSI. Mediumet shtuan se raportimi, i bazuar në një dokument të klaisifikuar të datës 25 shtator 2018 të Departamentit të Inteligjencës Ushtarake pranë Ministrisë së Brendshme, synonte informimin e opinionit.
“Ky hetim është sulm ndaj lirisë së shtypit”, thuhet në deklaratë, në të cilën është reaguar ndaj marrjes së gazetarëve në pyetje, pasi, siç thuhet, ata vetëm kanë ushtruar profesionin e tyre.
“E pyetur se a kanë të drejtë francezët të jenë të informuar mbi përdorimin e armëve që u janë shitur vendeve të akuzuara për krime lufte, qeveria heshti të përgjigjet me kërcënim”, theksohet më tej,
Ndryshe, sipas një lajmi të transmetuesit publik Radio France dhe faqes së internetit Disclose, armët franceze janë duke u përdorur në Jemen kundër rebelëve Huthi, të dhëna këto që bazohen në dokumentin e klaisifikuar të datës 25 shtator 2018.
Siç raportohej, në këtë dokument gjendeshin të dhëna të detajuara lidhur me armët që përdoren në Jemen, ndërsa thuhej se 35 civilë kanë humbur jetën në 52 sulme midis marsit të vitit 2016 dhe dhjetorit të vitit 2018 në rajonet ku janë përdorur 48 obusë francezë të tipit “Caesar”.
Po ashtu, në Jemen përdoren edhe 70 avionë francezë dhe tanke që Franca ia ka shitur EBA-së në vitet 1990.
Sipas dokumentit, Rijadi ka ndërmarrë 24.000 sulme ajrore në territoret e kontrolluara nga rebelët nga marsi i vitit 2015 e deri më tani, gjatë të cilave avionët i ka furnizuar me teknologji franceze të prodhuar nga firma franceze Thales.
Në dokument thuhej se shteti francez vazhdon t’i shesë armë Arabisë Saudite dhe deri në viti 2023, këtij vendi do t’i dorëzojë 147 topa.
Dokumenti në fjalë i është dorëzuar edhe presidentit francez Emmanuel Macron, ministrit të Jashtëm Jean-Yves Le Drian dhe ministres së Mbrojtjes Florence Parly gjatë një takimi mbi Jemenin të Këshillit të Mbrojtjes së Kufizuar më 3 tetor të vitit 2018, thuhej në raportimin e mediave.
Gjatë një fjalimi në Kuvendin Kombëtar më 13 shkurt, Le Drian ishte shprehur se Forcave Ajrore të Arabisë Saudite nuk i është dorëzuar asgjë.
Ndërkaq, Parly për radion France Inter më 20 janar kishte deklaruar se armët franceze nuk përdoren në Jemen.









