Historia e Muhamed Abdus Salam: Ç’ndodhi me të parin nobelist musliman

Ishte viti 1979 kur shkencëtari musliman nga Pakistani, Muhamed Abdus Salam bëri historinë duke fituar Çmimin Nobel për Fizikë.

E gjithë puna e tij jetësore ishte çelësi i zbulimit të teorisë së mikro-pjesëzave, të cilat përdoren edhe sot, dhe ishin bazamenti i teorisë së Higgs, përmes së cilës kuptohet deri diku krijimi i universit.

Por në vend se t’i gëzohej çmimit në vendin e tij që e donte shumë, për 40 vite ai u detyrua të jetonte larg vendit si i dëbuar për shkak të identitetit fetar të familjes së tij.

Tani, për jetën e tij po qarkullon një dokumentar në Netflix, Salam, The First ****** Nobel Laureate.

Arsyeja pse edhe në varrin e tij autoritetet pakistaneze e kanë fshirë mbishkrimin “musliman”, është se familja e tij i takonte një sekti të quajtur “Ahmedi”.

Ndonëse Abdes Salam në çdo mundësi që kishte përfliste për rininë muslimane dhe kapacitetin e tyre për të ndryshuar, askush në vendin e tij nuk e dëgjoi. Ai mbeti heretiku me Çmim Nobel, për të cilin njerëzit flisnin vetëm fshehurazi.

Salam ishte tejet i pakompleksuar dhe asnjëherë në jetën e tij nuk e mohoi identitetin prej muslimani dhe pakistanezi, edhe pse që të dyja iu kontestoheshin nga politikat në vend.

Ai shkoi me turban në kokë, përballë shkencëtarëve që ishin veshur me kostume.

“Të gjithë dukeshim si pinguinë, ai dukej si një princ oriental”, kujton njëri nga miqtë e tij që e shoqëroi në ndarjen e çmimeve.

Kur e mori çmimin para mbretit të Suedisë, ai mbajti një fjalim, ku citonte vargjet kuranore.

Por këtë, vështirë se e pranonin në Pakistan. Fakti se vinte nga një familje që i përkiste një sekti fetar pakicë, paraqiste problem për ta.

Për Salam ishin tri gjëra që nuk i zëvendësonte dot: fizika, besimi dhe kombësia.

Inteligjenca e tij nuk kaloi pa u vënë re nga i ati, i cili nisi ta privilegjonte. Në vend që të milte lopën dhe të pastronte, e lejonte të kalonte kohë me fletore duke zgjedhur detyra matematike. Këto, në një periudhë kur në fshatin e tij nuk kishte dritë nga poçi elektrik. Për herë të parë, gjeniu i fizikës e pa një të tillë në qytetin e madh të Lahores.

Kur shkoi atje për studime, profesorët e nuhatën shpejt kapacitetin e tij. Fati deshi që të fitonte bursë për në Kembrixh, sukseset e të cilit deshi t’i korrte në shtëpi, në Pakistan, duke dhënë mësim si profesor matematike.

Të përqafosh shkencën dhe fenë

Gjatë gjithë jetës, Salam ishte një musliman i përkushtuar. Edhe kur ishte në Londër, si në zyrë edhe në shtëpi dëgjonte Kuran nga audio-kasetat.

Për të, besimi nuk ishte barrierë për shkencën. Përkundrazi.

Ai u thoshte miqve të tij se shumë nga idetë i vinin nga besimi që kishte në Zot.

Ndërsa feja islame ishte tejet e rëndësishme për të, trajtimi që ia bënë bashkëkombësit ishte i dhimbshëm për të.

Lëvizja Ahmedije, të cilës i takonte familja e Salam, u formua në vitin 1889 në Punjab, në Indinë Britanike. Myslimanët Ahmedi besojnë se themeluesi i tyre, Hazret Mirza Ghulam Ahmad, është Mesia’. Sidoqoftë muslimanët e tjerë nuk pajtohen. “Komuniteti Mysliman Ahmedije është një bashkësi që respekton ligjin”, thotë Adeel Shah, një imam me qendër në Londër. “Megjithatë, ata kanë qenë viktimë e persekutimit dhe diskriminimit veçanërisht në Pakistan.”

Një ligj i miratuar në vitin 1974 i shpalli ahmeditë jo-muslimanë. Kështu, edhe fjala “musliman” në mbishkrimin e varrit të tij është hequr.

Pasi e pa që nuk është i mirëpritur në vend, Salam iku nga Pakistani. Ai u kthye në Britani te Madhe, ku punoi shumicën e projekteve të tij shkencore.

Me gjithë përndjekjen që iu bë, përkushtimi i Salam ndaj vendit të tij dhe popullit të Pakistanit nuk u zbeh. Atij iu ofrua shtetësia britanike dhe italiane, por ai mbeti qytetar pakistanez derisa vdiq.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu