Icardi nuk do rinovojë me Interin, Juve e kërkon por ai pret një tjetër klub

Mauro Icardi po numëron muajt e fundit me Interin, pasi në fund të këtij sezoni do të largohet nga zikaltrit, pas asaj që ndodhi me shiritin e kapitenit dhe gjithë situatës që e la thuajse për dy muaj jashtë fushe.

“AS” në Spanjë ka shkruar sot se sulmuesi argjentinas do të largohet për një klub që ka probabilitetin më të lartë për të fituar Champions League, gjë që e ka konfirmuar edhe gruaja/agjentja Wanda Nara.

Juventus është gati të hyjë menjëherë në negocim për ta marrë në Torino ish-kapitenin e Interit, mirëpo një kalim i tillë nuk preferohet nga klubi zikaltër që e shikon si një përforcim të rivalëve të tyre.

Edhe vetë Icardi nuk kërkon të krijojë më shumë polemika mes tifozëve dhe preferon të largohet përfundimisht nga Italia.

Ai është duke pritur me interes ngjarjet në Madrid edhe pse Reali nuk ka interes të firmosë me një sulmues. 26-vjeçari dëshiron të veshë fanellën e “Los Blancos” dhe të ketë shansin të fitojë çdo trofe të mundshëm.

Klauzola e tij është 110 milionë euro për klubet jashtë Europe në merkaton e verës, mirëpo pas kësaj krize çmimi i tij ka rënë ndjeshëm dhe në Spanjë janë të bindur se mund të largohet për gjysmën e kësaj vlere edhe pse Inter shpreson ta shesë për një shifër më të lartë se 70 milionë euro.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu