Medat Hasani një nga katër të arrestuarit si personat e dyshuar se do sulmonin me bombë dhe kallashnikovë ekipin e Izraelit, mendohet se ka qenë në luftimet e përgjakshme në Siri. Ka të dhëna se Hasani është kthyer nga këto luftime, duke përdorur rrugët tokësore.
Dyshimet e prokurorisë janë se ish-komandoja e Ushtrisë Shqiptare mund të ketë qenë pjesë e brigadave terroriste të ISIS, që drejtohen nga dy kosovarët Lavdërim Muhaxheri dhe Ridvan Haqifi. Në një raport operativ të SHISH dërguar prokurorisë thuhet se Medat Hasani, është larguar më 28.07.2013 drejt Sirisë dhe më është kthyer në Dhjetor 2013 në Shqipëri.
Në këtë mision, Hasani, ka shërbyer 6 muaj dhe më pas është kthyer së bashku me të gjithë anëtarët e grupit. Mirëpo, pas largimit nga ushtria ai ka rënë në kontakt me persona ekstremistë që predikojnë fenë islame, duke u indoktrinuar prej tyre që aftësitë e tij ushtarake ti zbatonte për të kryer krime terroriste, shkruan Panorama.
Hasani besohet se kishte marrë përsipër të ndërtonte apo të siguronte minat me telekomandë, që do përdoreshin gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit Shqipëri-Izrael në stadiumin e Shkodrës. Plani ka qenë i njëjtë me atë që ndodhu në Paris një vit më parë, ku fillimisht terroristët kanë sulmuar me mina të telekomanduara, duke ngjallur panik dhe terror dhe më pas, anëtarët e tjerë kanë sulmuar civilë të pafajshëm më kallashnikovë.
Mirëpo ky plan fatmirësisht nuk është vënë në zbatim, për shkak se zbulimi ushtarak i Izraelit ka arritur të përgjojë bisedat në “Skype” të Lavdërim Muhaxherit dhe Ridvan Haqifit, të cilët nga Siria urdhëronin Kosovarët dhe Shqiptarët që të sulmonin pa mëshirë izraelitët.
Sipas këtyre përgjimeve urdhër ishte miratuar nga drejtuesit e ISIS, dhe se do ishte kjo organizatë që pas kasaphanës që do shkaktonte, do merrte përsipër autorësinë e aktit terrorist./Albeu.com/