Ish-trajneri i Real Madridit dhe Spanjës, Vicente Del Bosque, është bërë pjesë e debatit për Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, duke thënë se ylli i Barcelonës është futbollist më i mirë se ai i Juventusit. Para se Luka Modrici ta fitonte Topin e Artë të vitit 2018, dekada paraprake ishte dominuar plotësisht nga Messi dhe Ronaldo, të cilët i fituan nga pesë çmime, transmeton Gazeta Express.
Që të dy këta futbollistë kanë arritur suksese të jashtëzakonshme si në nivelin individual, ashtu edhe në nivel të ekipit, duke vendosur rekorde të reja si golashënues dhe duke e mahnitur publikun me talentin e tyre.
Ronaldo tani po e shfaq këtë talent në Serie A, me Juventusin, ku ai i ka shënuar 19 gola në 25 paraqitje në Itali. Ndërsa, Messi po vazhdon të jetë lideri i Barcelonës, me 33 gola në 31 ndeshje të këtij sezoni.
“Ai [Messi] luan mirë pothuajse gjithmonë. Ka disa lojtarë të cilët nuk gabojë pothuajse kurrë. Ai ka qenë mjaft mbresëlënës vazhdimisht. Ai është një futbollist i mrekullueshëm”, ka thënë Del Bosque.
“Unë e zgjedh Messin. E shoh si futbollist më të natyrshëm, që kur luante nëpër lagje me shokët e tij. Por, Cristiano e ka kurajën e tij të mrekullueshme, me aftësitë të jashtëzakonshme fizike dhe teknike. Megjithatë, prapëseprapë, unë e zgjedh Messin”.










