Ja emrat e mundshme nga BDI-ja për bartës liste në njësinë e pestë zgjedhore

Në kohën e përpilimit të listave me emrat e kandidatëve për deputetë, emrat më të përfolur nga radhët e BDI-së për njësinë e pestë zgjedhore janë më tepër, por më serioze, siç mëson Agjencia e Lajmeve Flaka nga burime partiake, janë emrat e Fatmir Limanit dhe Adem Karagës nga Kërçova, Faton Pollozhanit nga Struga dhe Artin Spahiut nga Dibra. Këto janë të dhëna jozyrtare por që përmenden në okularet partiake dhe opinion.

Fatmir Limani vjen me një bagazh kombëtar individual dhe familjar. Ka qenë i persekutuar dhe i dënuar politik dhe njihet si trashëgimtari i dëshmorit kërçovar, Beqir Limani dhe nipi i veprimtarit Fazli Veliu. Limani njihet si kuadër i BDI-së por i paeksponuar në poste të larta qeveritare dhe figurë e panjollosur politike. Është anëtar aktiv i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe aktualisht zëvendësdrejtor i ELEM-it.

Një kandidat tjetër që përflitet në opinion është edhe analisti politik, Artin Spahiu, i njohur edhe si drejtor i Qendrës për Kulturë në Dibër. Spahiu njihet si kuadër i admiruar nga rinia shqiptare, opinionist i njohur si mbrojtës fanatik i liderit integrist, Ali Ahmeti, BDI-së dhe luftës së UÇK-së e që i përkiste si ushtar në vitin 2001. Për kaq kohë sa është aktiv në jetën publike, nuk është njollosur për kriminalitet apo korrupsion.

Zërave për kandidatë të mundshëm u bashkohet edhe Adem Karaga, aktor i mirënjohur shqiptar që drejton me Teatrin e Shkupit. Karaga njihet si zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.   Ademi në vitin e katërt të studimeve ishte në burg, bashkë me Fatmir Limanin. Kur u vra Beqir Limani edhe Ademi ishte në atë grup. Karaga njihet në opinion si udhëheqës i tubimeve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Kuadër tjetër që vjen nga Struga përmendet zëvendësministri aktual i Transportit dhe Lidhjeve,  Faton Pollozhani. Pollozhani është nga fshati Dollogosht i Strugës, është i lindur në vitin 1990 dhe me profesion është ekonomist i diplomuar. Ai vitet e fundit ka punuar në kabinetin e zëvendëskryeministrit të Maqedonisë. Bëhet fjalë për një profesionist të dëshmuar i cili deri tani ka dhënë rezultate tepër pozitive.

Agjencia e Lajmeve “Flaka”, ditëve në vazhdim do të paraqes edhe kandidatët e mundshëm për deputetë nga radhët e BDI-së në njësitë e tjera zgjedhore, si dhe kandidatët e partive dhe koalicioneve nga tabori politik shqiptar në Maqedoni.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu