Ja sa janë të pasur kandidatët për kryeministër?

Kandidatët për Kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të cilat do të mbahen më 11 qershor, në vitin 2016 kanë bërë deklarimet e pasurisë që i posedojnë. Ndër të parët që prinë për pasuri, është kandidati i AAK’së për kryeministër, Ramush Haradinaj. Ky i fundit në vitin 2016 pati deklaruar se pasuria e tij e paluajtshme arrin deri në 812,300 euro. Pas tij në listën e kandidat-kryeministrave qëndron Kadri Veseli. Veseli, pati deklaruar pasuri të paluajtshme dy banesa në vlerë deri në 222 mijë euro. Albin Kurti ndërkaq ka deklaruar 85 mijë euro të depozituara në një bankë në Oslo të Norvegjisë. Krejt në fund qëndron Avdullah Hoti, që në pasuri të paluajtshme ka deklaruar dy banesa që arrijnë vlerën deri në 128 mijë euro.

Ramush Haradinaj

Ndër kandidatët më të pasur për Kryeministër të Kosovës, është Ramush Haradinaj, kandidati i AAK’së për këtë post.

Në deklarimet e vitit 2016, Ramush Haradinaj pati deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, se ka në pronësi një shtëpi me vlerë 300 mijë euro, kullën familjare në vlerë prej 270 mijë euro; tokë kodrinore në vlerë 75 mijë euro; tokë-truall në vlerë 27,300 euro – pronë e përbashkët; dhe shtëpi banimi në vlerë 140 mijë euro, shkruan Gazeta Express.

Gjithashtu në formularin e deklarimit të pasurisë, Haradinaj ka regjistruar dy vetura në vlerë 8 mijë – 9 mijë euro dhe një motoçikletë në vlerë prej 9 mijë euro.

Kadri Veseli

Kandidati i PDK’së për Kryeministër në këto zgjedhje, Kadri Veseli pati deklaruar në AKK se është pronar i dy banesave në Prishtinë, vlera të të cilave arrijnë në 222 mijë euro; njëra 97 mijë euro dhe tjetra 125 mijë euro.

Ndër deklarimet tjera, ai ka shtuar edhe shtëpi familjare/trashëgimi, mirëpo nuk ka caktuar vlerë të saj, dhe 10 hektarë tokë-mal, vlera e pacaktuar.

Albin Kurti

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në formularët e plotësuar të AKK’së në vitin 2016, nuk ka deklaruar pothuajse asgjë.

Kurti ka deklaruar vetëm 85 mijë euro të depozituara në një bankë në Norvegji, Oslo.

Sipas formularit të plotësuar, Kurti ka deklaruar si të hyra vjetore, si deputet, rreth 19 mijë euro.

Avdullah Hoti

Kandidati për Kryeministër nga LDK’ja, Avdullah Hoti, në formularët e AKK’së pati deklaruar se ka në pronësi dy banesa; 68 mijë euro njëra dhe tjetra 60 mijë euro; një veturë në vlerë 5 mijë e 800 euro.

Të hyrat vjetore të Avdullah Hotit arrijnë në 43 mijë e 113 euro. /M.K./GazetaExpress/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu