Ja shkaku pse rritet çmimi i naftës

Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm në sesionin e sotëm, me mbi 2.5 për qind, duke prekur sërish nivelin më të lartë në tre vite e gjysmë. Arsyeja kryesore është vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump, për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin e arritur në vitin 2015.

Trump njoftoi gjithashtu një nivel të lartë të sanksioneve ndaj vendit anëtar të OPEC. Pavarësisht thirrjeve të aleatëve, Trump vendosi të tërhiqet nga marrëveshja ndërkombëtare, duke rritur rrezikun për një konflikt në Lindjen e Mesme dhe duke rikthyer paqartësitë për furnizimin e tregut global me naftë.

Nafta Brent e Londrës preku sërish nivelin më të lartë që nga nëntori i vitit 2014, prej 77.2 dollarë për fuçi. Edhe nafta Bruto amerikane po tregtohet në nivelin më të lartë në 3 vite e gjysmë, prej 71 dollarë për fuçi, shkruan Scan.

Në Kinë, ndërkohë, që është blerësi më i madh i naftës iraniane, nafta bruto e Shanghait preku një nivel të ri rekord. Irani u rikonfirmua si një eksportues i madh i naftës në fillim të vitit 2016, pas heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.

Gjatë muajit prill, eksportet e Iranit u rritën në 2.6 milionë fuçi në ditë, duke u bërë eksportuesi i tretë më i madh i OPEC, pas Arabisë Saudite dhe Irakut.

Vendimi i Presidentit Trump për tu tërhequr nga marrëveshja, do të thotë se pas 180 ditësh do të rikthehen sanksionet ndaj Teheranit zyrtar. Sipas analistëve, tregut mund ti mungojnë nga 200 mijë deri në 1 milionë fuçi në ditë, në varësi të sanksioneve. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu