Kush po i mbron vrasësit e pas luftës?

Vrasja e gazetarit Ali Ukaj, kolonelit Ahmet Krasniqi, veprimtarëve Haki Ymeri, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Ismet Raci, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Shaban Manaj, Komandant Drini etj, vazhdojnë të mbesin enigmë, ndonëse në opinion nuk kanë munguar emrat e autorëve të mundshëm.

Një numër i madh vrasjesh e sulmesh me motive politike, të cilat kanë ndodhur para gjatë dhe pas luftës në Kosovë, kanë mbetur ende të pazbuluara nga organet e drejtësisë. Vrasja e gazetarit Ali Ukaj, kolonelit Ahmet Krasniqi, veprimtarëve Haki Ymeri, Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Ismet Raci, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Komandant Drini etj, vazhdojnë të mbesin enigmë, ndonëse në opinion nuk kanë munguar emrat e autorëve të mundshëm.

E pyetur nga gazeta “Bota sot”, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, nuk është përgjigjur nëse po merret me hetimin e deklaruesve të autorëve të vrasjeve politike. Ndonëse, javë më parë kishte deklaruar se tentim atentatori i ish Presidentit Rugova është vrarë, avokati Tomë Gashi, i pyetur nëse është marrë në pyetje nga Prokuroria lidhur me deklaratën e tij, ka thënë se nuk ka informacione për këtë rast. “Nuk kam kurrfarë informacioni rreth rastit në fjalë”, ka thënë Gashi.

Për analistin, Sami Blakaj, fakti që personalitete të ndryshme politike dhe jopolitike vazhdojnë të deklarohen publikisht se kush qëndron prapa vrasjeve politike dhe të njëjtit nuk merren në pyetje nga Prokuroria e Shtetit, dëshmon më së miri për nivelin e dështuar të drejtësisë në Kosovë.

“Kjo është realisht edhe arsyeja, pse ne si qytetarë të këtij vendi, vite më radhë vazhdojmë të gjykohemi dhe të dënohemi nga drejtësia ndërkombëtare, kjo është arsyeja, pse ne sot kemi Gjykatën Speciale dhe pse sot Kosova detyrohet të ndajë një pjesë të sovranitetit të saj me shtetin e Holandës, vendin ku gjendet fizikisht Gjykata Speciale”, ka thënë Blakaj për “Bota sot”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu