Lëvizja Besa: Integrimi në NATO është detyrimi më i lartë patriotik

Edhe pse partnerët qeveritarë deklarativisht flasin për integrimet euro-atlantike, veprimet e tyre dita-ditës na largojnë edhe më shumë nga kjo rrugë, kanë reaguar nga Lëvizja BESA.

“Siç e dimë, lideri i BDI-së e pranoi një koalicion qeveritar bllanko (pa marrëveshje), pas asnjë kërkesë shqiptare, ndërsa këtë e justifikoi me inkuadrimin e vendit në NATO pas gjashtë muaj qeverisje. Megjithatë, kjo gjë nuk ndodhi as atëherë e as sot dhe kjo e la të zhgënjyer shumicën dërmuese të popullatës në vend. Por, edhe pse padroni i tyre (VMRO-DPMNE), përmes megafonëve të saj, propagandonte se pengesa e vetme për mosintegrim është kontesti i emrit me Greqinë, në komunikatën e lëshuar pas samitit të NATO-s, të mbajtur në korrik 2016 në Varshavë, në pjesën për Maqedoninë kuptohet se nuk është pikërisht kështu”, thuhet në reagimi e BESËS.

Sipas tyre, binomi qeveritar ka dështuar me implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit (për çka ka qenë kujdestare BDI-ja), ndërsa shqetësuese thonë ata, janë edhe zhvillimet e fundit politike që kanë shkaktuar largimin e vendit nga vlerat e NATO-s dhe nuk kanë kontribuar për zgjidhje të qëndrueshme të krizës politike.

“ Aty vihet re se elitat politike nuk shfaqin gatishmëri dhe kapacitete të mjaftueshme për të realizuar reformat e nevojshme të përmendura në Raportin e Pribes, ndërsa në atë komunikatë janë adresuar edhe problemet me forcimin dhe sundimin e ligjit, të lirisë së mediave dhe pavarësisë së gjyqësorit. Po ashtu aty vihet re edhe mungesa e vullnetit për dialog që të realizohen zgjedhje të besueshme dhe transparente, që janë vlera të patjetërsueshme për një vend që aspiron integrimin”, qëndron mes tjerash në reagimin e BESËS.

Lëvizja BESA e ripërsërit nevojën për RIDEFINIMIN e vendit, me qëllim që – pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit – “vendi të kthehet në binarët e integrimeve euro-atlantike, që – pos tjerash – është kërkesa më e rëndësishme e shqiptarëve të Maqedonisë”

“ Për këtë arsye BESA do të angazhohet seriozisht edhe për reformat e nevojshme në gjyqësor, si dhe për sundimin e ligjit për të gjithë, ndërsa mbetet e përkushtuar edhe për krijimin e kushteve të patjetërsueshme për pavarësimin e mediave nga ndikimi politik e partiak, duke krijuar kushte optimale për politika redaktuese profesionale dhe të paanshme.

Lëvizja BESA në platformën e saj u kushton kujdes të veçantë procese euro-integruese, madje në diskursin e saj e ka vulosur se integrimi i vendit në NATO është detyrimi më i lartë patriotik veçmas i shqiptarëve”, thuhet në përfundim të reagimit të BESËS.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu