Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë sot adresoi kritika deri te pushteti për “konceptin e arsimit falas” pasi që, siç kumtoi, shpenzimet për fillimin e vitit shkollor për një nxënës janë sa paga minimale prej 9.000 denarë.
“Për ta filluar vitin shkollor, prindërit u ekspozohen shpenzimeve të mëdha. Paguajnë për fletore, çanta, sigurim, mensë, për komplete për arsim teknik dhe qëndrim ditor. Në shumë shkolla prej prindërve kërkohet që të paguajnë për uniforma, për sigurim por edhe për letra të bardha për kopjim, për letër higjienike dhe sapun. E gjithë kjo është barrë e madhe për buxhetin familjar”, thekson në kumtesë partisë më të madhe opozitare të Maqedonisë.
Partia pyet “se si prindërit të ndajnë para për të gjitha shpenzimet, kur më shumë se gjysma e të punësuarve janë me pagë më të vogël se 12.000 denarë?
Nga LSDM-ja theksojnë se kur do të vinin në pushtet do ta lehtësojnë barën e prindërve. “Do ta rrisim pagën minimale në 12.000 denarë në vitin 2017. Përmes kësaj politike për bursa, do t’i nxisim talentin por edhe fëmijët e familjeve të varfra. Për ta zvogëluar varfërinë e fëmijëve, do të vendosim program për mbështetjen individuale të fëmijëve të familjeve të cilët janë në sistemin e mbrojtjes sociale dhe familjeve me të ardhura të ulëta”, thuhet në kumtesë./MIA/