Kuvendi i Shqipërisë këtë të enjte u përfshi në një debat në ditën që ka nisur viti i ri akademik 2015-2016. Shkak për debatin është bërë mbetja bosh e disa kuotave në universitet publike. Kryeministri Edi Rama bëri përgjegjëse opozitën që përhapi panik në fazën e parë duke bërë që mes maturantëve të krijohet konfuzion.
Megjithatë ai tha se kuotat do të jenë në dispozicion të studentëve derisa të plotësohen, duke e argumentuar kohën shtesë që i jepet maturantëve, me faktin që ky është viti i parë i aplikimit të ndryshimeve në sistemin arsimor, shkruan Express.
Debatin më të fortë që shpesh kaloi edhe në batuta, Rama e pati me ish-kryeparlamentaren Jozefina Topalli dhe deputetin demokrat Luçiano Boçi. Duke ju drejtuar me ironi deputetes Topalli, Rama dha një lajm të mirë kur tha se ka fituar shkollën e lartë vajza e cila ndikoi gjerësisht opinionin publik me foton e saj dëshpëruese para parlamentit kur maturantët protestonin gjatë fazës së parë të listave. Jozefina Topalli e quajti një gjuhë vulgare të kryeministrit duke thënë se në asnjë vend tjetër shkolla e lartë nuk fillon kaq vonë. Por Rama i kujtoi sërish seancën kur Topalli përdori foton e vajzës në protestë, ku tha se qau duke aktruar dhe konkurruar të madhen Tinka Kurti. Në këtë debat ka ndërhyrë edhe deputeti Flamur Noka i cili tha se nuk duhet të përmendet emri i aktores së madhe në këtë debat, por Rama ju kthye me batutë duke i thënë se “sa të ketë ty Tinka të rrijë e qetë”.
DEBATET
Topalli: Vulgarizimi në parlament për të tërhequr vëmendjen. Më thoni nëse gjeni një kryeministër që të dalë në foltore dhe të përdorë një gjuhë aq vulgare sa ky kryeministër sot. Unë turpërohem sot, por po të ishte për mua do të kisha sjellë njerëzit përpara parlamenti për të të rrëzuar. Jo për vulgaritetin, por për ekonominë, politikën e jashtëm, cinizmin. Fole për arsimin dhe sërish gabove si gjithmonë. Fole për ministrin tënd. Problemi është se nëse në Romë universiteti në Romë e Milano ka disa javë që ka filluar. Sot këtu ende s`janë hapur. Vendet bosh janë pasi ke mbajt studentët në ankth, i ke futur në stres. I ke fut panikun se nuk do fitojnë dhe janë mbushur në universitetet private të të shërbejnë ty…
Rama: Jozefin nuk kuptove çfarë the. Nuk jam i sigurt nëse ti e di se ca deshe me thënë. Unë fola për fakt, siç fola dhe herën tjetër kur dole me fotografinë dhe konkurrove Tinka Kurtin.Me Tinka Kurtin je rrotë më rrotë. Herën e shkume të thash që po gënjen.
Noka: Mos përmend Tinka Kurtin. S’është këtu.
Rama: Kush s’është këtu Tinka? Po në emër të Tinkës do replikash ti (i drejtohet Flamur Nokës) sa të ketë ty Tinka të rrijë e qetë. Jozefinë të thash herën e kalume po gënjen, po akuzon me një njeri fotografinë e të cilës e nxore këtu dhe bërë kantilenën tënde të zakonshme dhe nuk deshe të dish deri në fund që po gënjen. Sot unë isha 100 % dakord me Luçianon. Ai çdo javë ka fjalimin e vet për arsimin, dhe sipas javës thotë atë që duhet të thotë, jo atë që është për të thënë. Sot tha ja kuotat e lira. Ekzaktësisht atë kemi thënë: Atë që tha opozita mos i dëgjoni, se mbas raundit të parë, do ketë raund të dytë, dhe pastaj vetë sistemi do ketë një vijë të kuqe që do të plotësohen
Ju thatë JO, tani që është PO, ju dilni e thoni shiko sa kuota të lira keni.
Ti je një nga figurat e pakta këtu që ke një autoritet global edhe flet në mënyrë globale, Roma Milano Viena, ke bërë diplomaci parlamentare, dhe je kryetarja që ke miljet më të mëdha të fluturimit.
Topalli: Më përmende foton ë një vajze sepse ishte përfaqësimi i një brezi dhe grupi studentësh me të cilët ti ke abuzuar emocionalisht, ke manipuluar një sistem. Ti nuk ke një shifër për studentët që kanë hyrë në universitet private. Sa janë që kanë shkuar atje? Ti mund të vazhdosh të flasësh me një fjalor tendin vulgar të papranueshëm, por ti vazhdo e fol me këtë fjalor por ajo që do të them është se ti nuk do jesh më këtu. Kaq po të them. Mbaje mend. /Gazeta Express/