Mbyllja e kufijve mes Kosovës dhe Maqedonisë, bizneset në prag të falimentimit

Për të vendosur heqjen e kushteve në kufi, Maqedonia pret stabilizimin e situatës epidemiologjike, kurse Kosova zbaton masa të reciprocitetit. Këtë amulli po e pësojnë më së rëndi bizneset që kanë ndërvarësi mes të dyja shteteve. Odat ekonomike dhe afaristë nga të dyja anët e kufirit shprehin kritika të ashpra ndaj autoriteteve ekzekutive, duke theksuar se kanë gjunjëzuar bizneset e vogla. Nga OEMVP thonë se nëse kufijtë nuk hapen me gjithë rajonin, patjetër duhet të hapen me Kosovën.

“Edhe për qytetarët edhe për konsumatorët kjo është një pengesë pasi dihet se në vendin tonë një pjesë e madhe e konsumatorëve vijnë nga Kosova, ndërsa ekonomia e Maqedonisë bazohet në konsum. Në këtë krizë pandemie kur shteti kaq shumë ka nevojë për mjete të gatshme, konsiderojmë se këto masa janë të panevojshme dhe pengesë për biznesin- deklaroi Sinkron – Drilon Iseni, Drejtor i OEMVP-së- deklaroi Drilon Iseni, Drejtor i OEMVP-së.

Nga Oda e Afaristëve të Kosovës thonë se prej komunikimeve që kanë me autoritetet qeveritare, Prishtina zyrtare është e gatshme për të hapur kufijtë që sot pa kushte për shtetasit e Maqedonisë.

“Dëmet janë të mëdha në dy drejtime, pengesat në shkëmbimin e mallrave, por edhe të fuqisë punëtore. Sepse një pjesë e qytetarëve nga Maqedonia janë të punësuar në Republikën e Kosovës dhe anasjelltas. Ne kemi kërkuar nga institucionet tona që drejt Maqedonisë të bëhet presion që sa më shpejtë të hapen kufijtë nga ana e Maqedonisë dhe të lejohet qarkullimi i lirë- deklaroi Skender Krasniqi, Kryetar i OEAK-së.

Dy javët që lamë pas u bë bujë e madhe nga autoritetet e të dyja shteteve duke zhvilluar takime dypalëshe, por gjithçka mbeti në suaza të deklaratave. Fillimisht Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe priti homologun e tij kosovar Armend Zemaj, të cilët erdhën në përfundim se kufijtë duhet t’i hapin, duke thënë se formalizimet do të bëhen në nivel qeveritar. Javës që shkoi, kur pritej që në Shkup zëvendëskryeministrat e të dyja shteteve të finalizojnë një vendim të tillë, e njëjta gjë nuk ndodhi.

“Përkrahja ime dhe e kolegut tim është që heqja e testit të bëhet që sot, por duke garantuar edhe shëndetin publik mes qytetarëve sipas shembullit dhe praktikës mes Shqipërisë dhe Kosovës- pohoi Artan Grubi.

“Për mua është plotësisht e palogjikshme që ne të kemi një sistem të testimit bilateral derisa lëvizja jonë me Shqipërinë është e hapur- tha Besnik Tahiri, Zëvendëskryeministër i Kosovës.

Maqedonia këmbimin më të madh tregtar për disa vite rresht me bilanc pozitiv e ka vetëm me Kosovën. Por, sipas ekonomistëve që nga mbyllja e kufijve në periudhën e pandemisë vendi ynë ka pësuar humbje në eksport për 20% dhe në import 18% vetëm me Republikën e Kosovës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu