Me “dy gjërat e ndaluara” në mendje, Ronaldo shijon derbin e parë

Cristiano Ronaldo e ka kuptuar tashmë se dy ndeshje nuk janë si të tjerat: kundër Interit dhe Torinos. Në to është e ndaluar humbja nga bardhezinjtë. Dhe, pasi dha një kontribut të rëndësishëm kundër zikaltërve, kampioni 33-vjeçar portugez do të përpiqet të afrojë të njëjtën gjë në derbin e Torinos.

Ftohtësia e performancës së errët në Bernë, ku çuditërisht edhe ai ishte shumë në hije, duhet lënë mbas krahëve. Cristiano Ronaldo zakonisht nuk i bën dy ndeshje radhazi pa lënë shenjën e tij. Kundër Young Boys, në mes të paraqitjes së keqe të ekipit, ish-ylli i Real Madridit nuk mundi ta gjejë golin e dytë në Ligën e Kampionëve me fanellën e Juventusit.

Në Seria A, megjithatë, performanca e tij është krejt tjetër: 10 gola dhe 6 asiste në 15 ndeshje. Numra mbresëlënës, që mund të fiksohen vetëm nga CR7. Me pak fjalë, Salvatore Sirigu është duke u përgatitur për të jetuar një mbrëmje mjaft të ethshme përballë bomberit portugez. Në fakt, në stadiumin “Olimpico Grande Torino”, kampioni luzitan do të përpiqet të bëjë një ndeshje të ndjerë.

Dhe në këtë drejtim, Ronaldo tashmë e ka kuptuar plotësisht se si derbi i Torinos ka një bukuri të veçantë. Prandaj, është e domosdoshme ta lërë gjurmën e tij që nga fillimi. Nga një këndvështrim atletik e fizik, edhe pse deri më tani Cristiano nuk ka pushuar kurrë, “fotografia” në këtë derbi duhet të jetë më e mira.

“Një nga punëtorët e magazinës së klubit më tha: Ju lutem, fitoni me Torinon, përndryshe gjyshja ime do të çmendet… Kuptova se Juventusi refuzon të humbasë dy ndeshje: ndaj Interit dhe Torinos. Derbi është gjithmonë i zjarrtë dhe ne duhet të fitojmë”. Si të tillë e pret Ronaldo përplasjen me Torinon. Nga bisedat me kapitenin Chiellini dhe shokët e tij, CR7 i ka ide të qarta. Dhe kjo, sigurisht, nuk është një lajm i mirë për “granatat”…


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu