Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, po kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim pas publikimit online të videove pornografike me imazhin e rremë të saj.
Meloni pritet të dëshmojë në një gjykatë në qytetin Sardinian të Sassarit, më 2 korrik, raportoi BBC.
Imazhet e rreme janë ato kur fytyra e një personi shtohet në mënyrë digjitale në trupin e një personi tjetër.
Një burrë 40-vje֛çar i cili mendohet se i ka krijuar videot, dhe babi i tij 73 vjeç, janë vënë nën hetim. Policia ka thënë se ka arritur t’i gjejë të dyshuarit duke gjurmuar pajisjen celulare që është përdorur për postimin e videove.
Të dy burrat po akuzohen për shpifje. Sipas ligjeve italiane, rastet e shpifjeve konsiderohen krim dhe dënohen me burgim.
Sipas aktakuzës, videot janë postuar në uebsajte amerikane të pornografisë, dhe ato janë shikuar “miliona herë”.
Ekipi ligjor i Melonit ka thënë se nëse kërkesa e saj për dëmshpërblim pranohet, ajo do t’i dhurojë të gjitha paratë për të financuar një fond që i mbështet gratë që janë viktima të dhunës nga burrat.
Videot me pamje të montuara të Melonit datojnë prej kohës para se ajo të zgjidhej kryeministre, në vitin 2022.