Mickoski kërkon zgjedhje, LSDM: I robëruar në errësirë ‘mban zi’ për Gruevskin

Lideri i VMRO-DPMNE-së përmes videos që e ka postuar në rrjetet sociale, përsëri bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak se, siç tha ai, përveç katastrofës kombëtare, vijon edhe katastrofa ekonomike.

Në videon që zgjat 3 minuta, ai duket i trishtuar dhe i dëshpëruar, ndërsa pastaj duke bërë gjeste me kokë dhe me një zë dramatik, thotë se janë zvogëluar investimet kapitale, ekonomia pëson ngecje, nuk hapen fabrika të reja dhe shteti gjendet para kolapsit.

Të dashur bashkëqytetarë, të gjitha të dhënat tregojnë se përveç se para krizës kombëtare, gjendemi edhe para krizës ekonomike. Secili nga ju e ndjen këtë gjë. Këta nuk e dinë se çka po bëjnë. Dinë vetëm t’i përsërisin gënjeshtrat e tyre. Unë e di se ju nuk dëshironi një Maqedoni të Veriut e cila do të jetë e nënçmuar dhe e varfër. Unë e di se ju dëshironi një Maqedoni të suksesshme dhe të pasur. Andaj, të shkojmë në zgjedhje. Le të lindë agimi i lirisë”, tha Hristijan Micksoski, Lideri i VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM-ja janë kundërpërgjigjur me një dozë ironie, duke thënë se Mickoski “mban zi” për Gruevskin.

“Sipas Hristijan Mickoskit, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO qenka drejtim i gabuar. Sipas tij, drejtimi i vërtetë është izolimi, kthimi në të kaluarën e zezë dhe biznesi i tij me hidrocentralet. I vetmuar, i robëruar në errësirën e tij, ai po “mban zi” në kabinetin e mentorit të tij, Nikolla Gruevskit, në kështjellën e shtrenjtë e cila është simbol i krimit dhe shkatërrimit”, thuhet në komunikatën e LSDM-së
Mickoski tani bën thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare përmes videos.

Para një muaji kërkoi nga LSDM-ja të pranojë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen së bashku me ato presidencialet. Zaev atëherë tha se duke marrë parasysh se kjo kërkesë vjen nga partia më e madhe opozitare, seriozisht do ta shqyrtojnë këtë kërkesë në strukturat e partisë, por deri më tani ende nuk kanë dalë me një qëndrim përfundimtar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu