Ministri i jashtëm turk për sistemin S-400: Nëse aleatët e NATO-s nuk na shesin, atëherë mos të ndërhyjnë

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, lidhur me blerjen e sistemit të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia, ka deklaruar se “aleatët e saj të NATO-s, të cilët kanë penguar edhe shitjen e armëve të thjeshta, kanë filluar të shqetësohet pas blerjes së sistemit S-400”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij në qytetin turk Balıkesir, kryediplomati turk ka folur për çështjen e zgjidhjes politike në Siri dhe blerjen e sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.

Mbi çështjen e Sirisë, ai theksoi se janë duke punuar në terren për të arritur një zgjidhje politike për luftën në Siri.

“Turqia është vendi i vetëm i cili nuk ka një axhendë të fshehtë, që sinqerisht përpiqet dhe tregon më shumë përpjekje për të arritur armëpushimin e përhershëm i cili aktualisht vazhdon në Siri, po ashtu edhe për hapat në mbrojtjen e integritetit territorial të Sirisë, duke përfshirë edhe formimin e komisionit kushtetues”, deklaroi ministri Çavuşoğlu.

Çavuşoğlu po ashtu theksoi se Turqia është vendi i vetëm që pastron terroristët në terrenin e Sirisë.

Më tej, ministri turk iu referua blerjes së sistemit ajror të mbrojtjes S-400, duke theksuar se Turqia është një vend që vendimet i merr në mënyrë të pavarur. Sipas tij, Turqia është e detyruar t’i marrë të gjitha hapat e nevojshme për nevojat e saj.

“Ne e kemi blerë sistemin e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia. Ne e kemi blerë për të mbrojtur hapësirën ajrore nga kërcënimet ndaj Turqisë dhe për këtë kemi arritur marrëveshjen. Për vite me radhë kemi kërkuar nga aleatët tanë të blejmë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe i kemi njoftuar zyrtarisht ata. Por, këta aleatë të cilët kanë penguar madje edhe shitjen e armëve të thjeshta, kanë filluar të shqetësohen pas blerjes së sistemit S-400. Nëse je aleat në NATO dhe nëse duhet që të solidarizohemi, atëherë duhet t‘i shitet nëse Turqia e kërkon. Nëse nuk dëshiron t’ia shesësh, atëherë nuk duhet të ndërhyni nëse Turqia e merr nga ndonjë tjetër ose ndonjë vend jashtë NATO-s”, deklaroi Çavuşoğlu.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu