Miratohet në Kuvend buxheti i vitit 2019, më i madhi ndonjëherë

Kuvendi i Maqedonisë pas tre ditë debat me 61 vota për dhe 15 kundër ka miratuar buxhetin për vitin 2019. Buxheti për vitin e ardhshëm është planifikuar 3,7 miliardë euro, që është më i madhi deri më tani.

Ministri i financave, Dragan Tevdovski tha se buxheti është social dhe zhvillimor dhe se parashikohet rritja ekonomike prej 3.2 për qind.

Ministri Tevdovski tha se për investime kapitale janë parashikuar 418 milionë euro, pjesa më e madhe për ndërtimin e gazifikimit dhe hekurudhës drejt Bullgarisë e cila tashmë tre vite është e ndërprerë. Edhe kryeministri Zoran Zaev nënvizoi se buxheti është për një jetë më të mirë dhe dedikohet edhe për kategoritë sociale dhe bizneset.

Gjatë 2019 planifikohen borxhe me vlerë prej 600 milionë euro, ashtu që do të ketë rritje të borxhit publik nga 48,2% në 54,2%. VMRO – DPMNE tha se projekt – buxheti i Qeverisë është megaloman, katastrofal, dhe rritet borxhi që ngarkon qytetarët. Kritika ndaj buxhetit për 2019 janë shprehur edhe nga partitë e tjera opozitare. (INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu