MPJ e Maqedonisë i përgjigjet MPJ-së ruse për Marrëveshjen e Prespës

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, të martën publikoi reagim ndaj komentit të MPJ-së ruse lidhur me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat dalin prej Marrëveshjes së Prespës, duke përmendur se kjo Marrëveshje jo vetëm se nuk prek në interesat e palëve të treta, por edhe në mënyrë thelbësore kontribuon për stabilitetin rajonal.

“Marrëveshja e Prespës jo vetëm se nuk prek në interesat e palëve të treta, por edhe në mënyrë thelbësore kontribuon drejt stabilitetit rajonal, miqësisë dhe bashkëpunimit dhe si e tillë paraqet shembull dhe model për zgjidhjen e çështjeve të hapura midis shteteve”, thuhet në reagimin e MPJ-së së Maqedonisë.

Ministria e Maqedonisë duke reaguar ndaj komentit të Departamentit për informim në MPJ-në ruse, të publikuar dje, me keqardhje konstaton se “edhe krahas problemeve kaq të mëdha në botën e sotme pala ruse përsëri në kontest negativ, apostrofon procese politike autentike në dy vende fqinje, të cilat çojnë drejt zgjidhjes së problemeve, përforcimin e besimit dhe ndërtimin e miqësisë”.

“Ndryshimet në Kushtetutë në pajtim me Marrëveshjen e Prespës, të miratuara në Kuvend me respektimin e plotë të procedurës së paraparë kuvendore dhe Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, të cilat e reflektojnë përcaktimin konsensual të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian morën mbështetje nga bashkësia më e gjerë ndërkombëtare, si akt i guximit politik, përgjegjësisë dhe lidershipit, me të cilin zgjidhet një problem bilateral shumëvjeçar i cili i stërngarkonte marrëdhëniet midis Republikës së Maqedonisë dhe Greqisë”, shtohet në reagim.

Ministria shpreh bindjen se e ardhmja do ta konfirmojë rregullshmërinë e kësaj qasje, e cila preferon vizionin politik dhe lidershipin, si edhe se përfitimet për stabilitet dhe prosperitet rajonal do të pranohen dhe valorizohen prej të gjitha palëve, duke e përfshirë edhe Federatën Ruse mike.

Moska zyrtare vlerëson se çështja për riemërimin e Republikës së Maqedonisë, e cila kaloi me miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë në Parlamentin e Maqedonisë, duhet të gjendet në shqyrtim para Këshillit të Sigurimit të KB-së.

“Qëndrimi i Federatës Ruse lidhur me problemin për emrin e shtetit të Maqedonisë mbetet i pandryshuar – zgjidhje e qëndrueshme duhet të gjendet pa presion të jashtëm, imponimin e afateve dhe kushteve prej jashtë dhe në bazë të mbështetjes së gjerë publike edhe në Republikën e Maqedonisë edhe në Greqi dhe veçanërisht në kuadër të ligjit, Ne vlerësojmë se kjo çështje duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit të KB-së në pajtim me paragrafin 3 të Rezolutës 845 të KS të KB-së”, qëndron në kumtesën e MPJ-së ruse.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu