Nëna e Almirit të vogël rrëfen në gjykatë vrasjen e të birit

Ka përfunduar seanca e parë për gjykimin e vrasjes së Almir Aliut.
Orë të gjata gjykimi ditën e sotme nuk sollën përfundim konkret për vrasjen e vogëlushit. I akuzuari për vrasjen e tij Boban Ilic, gjatë gjithë kohës provokonte familjarët me fjalë dhe gjeste.

Në seancë, sot u dëgjuan nëna e Almirit, Mixhevere Kasumi, si dhe dëshmitarët e palës mbrojtëse Bojan Ilic dhe Tanja Dimkovska.
Nënë Mixheverja gjatë gjithë kohës që përshkruante ndodhinë e asaj nate, kishte sytë e përlotur dhe kërkonte që vrasësi i birit të saj të dënohet me burgim maksimal.

“Vrasja ka qenë e qëllimshme, sepse po të ishte e paqëllimshme nuk do të kërkoja asgjë. Por, ai ka pasur qëllim që jo vetëm birin, por gjithë familjen të na shtyp me veturë, prandaj kërkoj që ai të dënohet maksimalisht. Përveç që ma mori djalin Almirin, edhe dy fëmijët e tjerë nuk mund të shkojnë në shkollë, pasi kanë frikë të dalin në rrugë”, ka deklaruar Mixhevere Kasumi, nëna e Almirit të vogël.

Në anën tjetër, Bojani, vëllai i Boban Ilicit dhe e dashura e tij Tanja, përshkrimin e bënin ndryshe, jo vetëm nga pala tjetër, por edhe mes tyre, edhe pse i takonin të njëjtës palë.

“Në momentin që ne u kthyem me veturë në vendin që e kishim të parkuar veturën, pra para Shtëpisë së Shëndedit, disa njerëz u vërsulën mbi veturën tonë dhe filluan të na sulmonin, duke na nxjerrë pastaj mua dhe Bobanin jashtë veturës dhe duke na grushtuar”, ka deklaruar Bojan Ilic.

“U nisëm drejtë me veturë, por kur arritëm në fund të rrugës, pamë që rruga nuk kishte dalje, pastaj u kthyem prapë dhe kur arritëm tek Shtëpia e Shëndetit, në të dyja anët kishte një grup njerëzish që na gjuanin me gurë dhe pastaj ne e humbëm drejtimin dhe vetëm e pamë që u përplasëm diku”, ka thënë Tanja Dimkovska.

Avokati i familjes Aliu, Asmir Alispahiq tha se sot opinioni ishte dëshmitarë se i akuzuari lëre që nuk e pranoi fajin, por edhe nuk ndjehej aspak fajtor për veprën që e kishte bërë dhe për të cilën akuzohet.

“I akuzuari i parë Boban Iliç, gjatë gjithë kohës sillet shumë gjakftohtë, madje nuk kishte as trimëri ta pranojë fajin për atë që e ka bërë, por të njëjtin e refuzonte plotësisht. Ju ishit dëshmitarë në dëgjimin e dëshmitarit okular, që në këtë rast është nëna, Mixhevere Kasumi, e cila në detaje e përshkroi incidentin. Gjithashtu nga deklarata e saj, mund të shihni se sa në mënyrë bizare është bërë vrasja e të miturit, Almir Aliu”, Asmir Alispahic, avokat i familjes Aliu.

Alispahic gjithashtu njoftoi se do të ngrejë padi edhe kundër vëllait të të akuzuarit, Bojanit sepse edhe ai është po aq fajtor në këtë ngjarje. Ai tha se Bojan Ilic duhet të mbajë përgjegjësi për faktin që ka qëndruar gjatë gjithë kohës në veturë dhe nuk ka reaguar.

Ndërsa, avokati i palës mbrojtëse Stevan Pavleski tha se drejtësinë e lë që ta vendosë gjykata dhe se puna e tij si avokat është që të dëshmojë se i akuzuari Boban Ilic veprën e ka bërë pa qëllim.

“Në këtë ngjarje ka humbur jetën një fëmijë, ndërkaq të lënduar janë më shumë persona. Sipas aktakuzës del se prokurori publik, të vërtetën do ta tregojë nëpërmjet pasojave të cilat janë shkaktuar.

Qëllimi ynë është të dëshmojmë se nuk ka faj, nuk ka qenë me qëllim, dhe të vërtetën do ta dëshmojmë nëpërmjet arsyeve për të cilat janë shkaktuar ato pasoja. Gjykatës do t’i duhen njohuri të jashtëzakonshme ligjore, që të sjell vendim objektiv. “, ka thënë Stevan Pavleski, avokat i palës mbrojtëse.

Në anën tjetër një numër i madh njerëzish ishin mbledhur para gjykatës Themelore të Kumanovës që t’i jepnin përkrahje familjes Aliu.
Qindra qytetarë të organizuar nga Organizata joqeveritare “Zani”, bënë të ditur se do të jenë prezent në çdo seancë në mënyrë që ta mbështesin këtë familje.
Pala mbrojëtse ka ngritur padi kundër 3 personave, Sedat Aliu, Abdulla Aliu dhe Samir Demiri, për kryerje të veprës penale “dhunë”, transmeton Shenja.
Ndërkaq, seanca e ardhshme është shtyrë për më datë 28 të këtij muaji.

Më 25 qershor të 2016-ës, gjatë një zënkë verbale në shtëpinë e shëndetit në Kumanovë mes Bojan dhe Boban Iliçit dhe prindërve të Almirit, rezultoi me humbjen e jetës së këtij të fundit, pra fëmiut katërvjeçarë Almir Aliu. /albeu.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu