Nikolla Gruevski nderohet me mirënjohje në Shipkovicë (VIDEO)

Nderohet me mirënjohje kreu i VMRO-së Nikolla Gruevski në Shipkovicë, pasi sot mori meritat e dëgjimit të halleve të banorëve të këtij rajoni. Gruevski, që kur ishte kryeministër, ishte i pari që vizitoi banorët e prekur nga përmbytjet e një viti më parë, ndërkohë që familja e Afrim Ahmetit e cila humbi dy fëmijë në këto përmbytje, sot i dhuroi mirënjohje Gruevskit, në emër edhe të familjeve të tjera.

Në këtë vizitë të Gruevskit, të gjitha kambanat e akuzave ranë sërish ndaj autoriteteve të Tetovës, pasi Gruevski u ul sërish me banorët për të dëgjuar hallet, sidomos të atyre që ende nuk i kanë marrë dëmshpërblimet.

Gruevski: Si jeni?
Banor: Mirë, ju si jeni? Unë e kam pasur shtëpinë shumë të dëmtuar dhe nuk kam marrë ende asnjë gjë, asnjë kompensim…
Gruevski: Përse kështu?
Banori: Ja, unë po ju pyes juve.
Gruevski: Na i jepni të dhënat tuaja dhe do e rishikojmë se çfarë është puna.

Kreu i VMRO-së, pavarësisht se si kryetar partie, tha se Qeveria e ka përfunduar misionin e saj tashmë, dhe se ngecjet, janë vetëm për shkak të moskoordinimeve të pushtetit lokal.

“Nga ajo që kuptova, qeveria pagoi rreth 25 milion denarë në dhjetor, në Byronë për ekspertizë gjyqësore. Pastaj na u tha se ka nevojë edhe për 8,5 milion denarë të tjerë, meqenëse ishte bërë një gabim nga ana e Byrosë për ekspertizë gjyqësore. Në korrik të këtij viti, edhe ato mjete i janë kaluar Komunës së Tetovës dhe ato sigurisht janë në proces e sipër apo duhet të paguhen shumë shpejtë, kështu që në atë aspekt sa jam i informuar nga ana e autoriteteve, Qeveria e ka kryer punën e saj. Tani i ka mbetur pjesa e ngelur të kryen Komuna”, deklaroi Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-së.

Banorët adresuan te Gruevski edhe një sërë shqetësimesh të tjera, sikurse rreziqet e paraqitjes së mundshme të një situate të ngjashme me atë të një viti më parë.

“Ajo rruga atje lartë, është shembur e gjitha. Askush nuk ka ndërmarrë asnjë masë. Nuk është aspak mirë, plus njërit prej banorëve i ka rënë kulmi një ditë.

“Unë tani nuk dua të shkoj në shtëpi, por nuk jam rehat aspak, mund të ndodhin vërshime përsëri dhe çfarë të bëjmë atëherë? Kam një lutje deri te ju, të hapet rruga e përroit, kanali. Ju lutem, të paktën të hapet ai kanali, ta kemi kanalin, psh nëse na vijnë nesër të reshura të mëdha”.

“Lidhur me të gjitha këto sanime që duhen bërë, është bërë analizë e tërësishme dhe një strategji nga ana e Ministrisë së Ambientit në të cilën ka qenë e përfshirë edhe UNDP-ja, kështu që për atje janë parashikuar masa afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjate për tejkalimin e problemit. Ajo që duhet bërë është të fillojnë punimet, projekti është gati, studimi është gati dhe është në Ministrinë tonë dhe pret zbatimin”, deklaroi Bozhidar Strezovski, Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Mjedisit Jetësor.

Edhe për rrugët e pariparuara, Gruevski e la fajin te Komuna e Tetovës. Ekipi i kreut të VMRO-së kishte ardhur pa njoftim në Tetovë, dhe një gjë e tillë u vërtetua edhe nga mungesa e përfaqësuesve të komunë së Tetovës në këtë vizitë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu