Një gol aksidental dhe një magji përmbysin Lazio-n e Strakoshës, fitore për Veselin dhe Empoli-n

Lazio është mundur 2-1 në fushën e Genoa-s dhe ka humbur terren ndaj Milan-it në garën për një vend Champions League. Bardhekaltrit kanë qenë në avantazh 1-0 deri në minutën e 75-të falë një goli të Badelj (44′) dhe falë pritjeve të jashtëzakonshme të bëra nga Thomas Strakosha në pjesën e parë.

Gjithsesi, ylli kuqezi dhe ekipi i tij janë ndëshkuar dy herë në 20 minutat e fundit. Sanabria-n (75′) ka dërguar pa dashje topin në rrjetë pasi është goditur nga Lucas Leiva, në një tentativë për të spastruar zonën. Përmbysja e vendasve është kompletuar nga Criscito (93′), i cili ka mposhtur Strakoshën me një goditje shumë të bukur nga jashtë zonës.

Ndërkohë, ka fituar Frederic Veseli me Empolin e tij, që ka mundur bindshëm 3-0 Sassuolo-n në shtëpi dhe ka bërë një hap drejt mbijetesës, duke shkuar në vendin e 16-të nga i 18-ti.

Kjo ka qenë dhe ndeshja e parë në të cilën toskanët nuk kanë pësuar gol në një sfidë të kampionatit italian që nga takimi i javës së tretë të luajtur 2 shtatorin e kaluar kundër Chievo-s (0-0 në transfertë).

Krunic (34′), Acquah (37′) dhe Farias (60′) kanë qenë autorët e golave për vendasit, të cilët janë kthyer të marrin tri pikët në kampionat pas tetë ndeshjesh (6 humbje, 2 barazime).


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu