Nuk ka baj-pas deri në BE, reformat vazhdojnë, do të kërkohet zgjidhje me Bullgarinë

Nuk na duhen zgjidhje baj-pas për anëtarësimin në BE, e cila është alternativa jonë e vetme. Megjithëse Unioni ka dërguar sinjal të keq, vendi mbetet i përkushtuar ndaj reformave. Ne jemi të gatshëm për fillimin e negociatave dhe nuk ka dyshim se çdo shtyrje e tyre do të ishte gabim, konfirmoi edhe një herë kreu i shtetit.

Kryeministri Zoran Zaev dje e prezantoi Iniciativën “Aksioni 21” për zbatimin e standardeve Evropiane në shtëpi, ndërsa Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani pati takim me homologun e tij austriak Aleksander Shalenberg në Vjenë. Zaev dhe Osmani thanë se nuk është e lehtë të arrihet konsensus dhe se procesi është kompleks, por Maqedonia e Veriut nuk do të heqë dorë. Përkundrazi, ajo është e gatshme të vazhdojë të punojë e angazhuar për reformat dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe për të gjitha sfidat që mund të paraqiten deri në anëtarësimin e plotë në BE.

Sipas Zaev, tejkalimi i problemit me Bullgarinë dhe gjetja e një zgjidhjeje është e mundur në gjysmën e parë të 2021.

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, nga ana tjetër, është i mendimit se në muajt e parë të vitit të ardhshëm do të shohim nëse diçka do të ndryshojë në qasjen e Bullgarisë. Siç vlerësoi ai në një intervistë për gazetën ruse “Komersant”, nga ana jonë mundësitë për manovrim janë shteruar, ne kemi dorëzuar një numër propozimesh konstruktive.

Bullgaria e shfrytëzon procesin e aderimit në BE për të çelur disa çështje, që nuk do të mund ta bënte pas anëtarësimit në Bashkimin, ndërsa sipas disa politikanëve bullgarë Sofja është dashur ta bllokojë Maqedoninë e Veriut gjatë hyrjes në NATO në vitin 2018, por atëherë kjo nuk ka qenë e lejuar për shkak të interesave gjeo-strategjike të forcave perëndimore. Kontestin me Greqinë e kemi zgjidhur. Tani Bullgaria mendon lartë-poshtë si vijon: nëse tani i pranojmë në BE, më nuk do të ketë mundësi që të çelen çështjet kontestuese.

Disa politikanë bullgarë madje deklarojnë: është dashur të bllokohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO që në vitin 2018. Supozoj se atëherë nuk u ishte lejuar ta bëjnë këtë për shkak të interesave gjeo-strategjike të forcave perëndimore, të cilat donin që në tërësi ta formojnë krahun jugor të Aleancës. Në BE qasja është më ndryshe”, shton Pendarovski.

Stevo Pendarovski, në intervistën e tij të parë për mediat ruse, lidhur me prolongimin e procesit të integrimit në BE, sqaroi se kjo ka ndodhur për shkak të pozicionit të Bullgarisë, që ka të bëjë me identitetin e maqedonasve dhe e konteston gjuhën maqedonase (Sofja nuk e njeh ekzistimin e maqedonasve si komb para vitit 1944 dhe e konsideron gjuhën maqedonase për dialekt bullgar – shënim i gazetës).

Këtë pozicion nuk e mbështetë asnjëra prej vendeve anëtare të BE-së, por në Bashkimin Evropian zbatohet rregulla e konsensusit. Në disa muajt e parë nga viti i ardhshëm do të shohim nëse do të ndryshojë diçka në qasjen e Bullgarisë. Nga ana jonë, mundësitë për manovër janë shterur, ne parashtruam një numër të madh të propozimeve konstruktive. Për atë se ne jemi maqedonas që flasin gjuhën maqedonase, nuk mund të bisedohet”, theksoi Pendarovski.

Ai theksoi se në raport me atë se maqedonasit asnjëherë nuk do të heqin dorë nga identiteti i tyre dhe gjuha e tyre nuk ka kurrfarë dallimesh mes pushtetit dhe opozitës.

Për atë nëse hapi i këtillë i Sofjes është i lidhur me zgjedhjet e ardhshme në Bullgari në pranverë, shefi i shtetit përkujtoi se ai këtë pozicion tashmë e ka përmendur dhe se për këtë ka reaguar Sofja, se askush atje nuk e shfrytëzon kontestin për shkak të rejtingut.

Këto ditë e ndoqa dinamikën e renditjes së partive udhëheqëse bullgare. Në dy muajt e fundit ato u dyfishuan. Ndoshta diçka tjetër ka ndikuar në renditjet, por në këtë periudhë partitë në Bullgari shumë shpesh flasin për çështjen maqedonase”, shtoi presidenti Pendarovski në intervistën për “Komersant”.

Për kontestin bullgar të identitetit dhe gjuhës maqedonase, dje reagoi kryeministri Zaev.

“Qytetarët maqedonas më 31 dhjetor të vitit 1943 nuk kanë fjetur si bullgar dhe në mëngjes më 1 janar të vitit 1944 të jenë zgjuar si maqedonas. Ata janë maqedonas me shekuj, janë ndjerë maqedonas dhe ndjehen maqedonas kjo është përgjigja jonë e drejtpërdrejtë”, tha Zaev duke e komentuar deklaratën e fundit të ministrit bullgar të Mbrojtjes Krasimir Karakaçanov, i cili tha se “kushdo që ka lexuar të paktën pesë faqe histori e di se maqedonasit para ’44 ishin bullgarë”. Ai apelon në frymën e miqësisë, t’i kushtohet vëmendje narativit dhe të mos lëndohen ndjenjat e tjetrit.

Kryeministri Zaev e përsëriti qëndrimin se ne nuk do të lejojmë që mossuksesi i BE-së me mosmiratimin e kornizës negociuese për shkak të bllokadës së Sofjes, të shkaktojë bllokadë në reformat e brendshme.

Pavarësisht nga fakti që Bashkimi Evropian dërgoi një sinjal të keq, vendi mbetet i përkushtuar ndaj reformave evropiane që do të vazhdojnë me intensitet më të fortë vitin e ardhshëm. Nuk ka devijim nga aspiratat për t’i arritur qëllimet strategjike që janë vendosur unanimisht dhe që gjithmonë kanë gëzuar mbështetje të gjerë: arritjen dhe mbajtjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore, pjesëmarrjen aktive në Aleancë si një anëtare e NATO-s dhe angazhimin e palëkundur për anëtarësimin në BE. Në shtëpi, ne nuk do të lejojmë që mossuksesi i BE-së me mos miratimin e kornizës negociuese të shkaktojë bllokadë në reformat e brendshme. Përkundrazi, me edhe më shumë besim, përkushtim dhe unitet, ne do t’i përkushtohemi ndërtimit të standardeve evropiane brenda vendit”, tha Zaev.

Ai vuri në dukje se bisedimet me Bullgarinë vazhdojnë derisa të gjendet zgjidhje. Kryeministri është i bindur se BE do të vazhdojë me zgjerimin, ndërsa Maqedonia e Veriut dhe si e meriton të jetë anëtare e saj.

Ministri i Punëve të Jashtme, Osmani, në konferencën e përbashkët për shtyp me Shallenberg, tha se Maqedonia e Veriut duhet t’i kishte filluar negociatat deri më tani.

Kjo vizitë e imja sot është rrumbullakësim i një mini –turneu nëpër vendet anëtare të BE-së, të cilat janë fqinj të drejtpërdrejt të Ballkanit, dhe për këtë arsye edhe mbështetës tanë më të drejtpërdrejt dhe më të afërt në procesin e integrimit evropian. Është logjike, sepse stabiliteti, zhvillimi dhe progresi i Ballkanit është interes direkt edhe për fqinjët e rajonit, në mesin e të cilëve është edhe Austria. Si fqinj direkt, vendet e rrethinës kanë qasjen direkte dhe njohuritë më të mira për gjendjet në rajon, që kuptohet se e bën mbështetjen dhe mendimin e tyre edhe më të rëndësishëm”, theksoi Osmani, duke adresuar pastaj falënderim për Ministrin Shallenberg dhe deri te Qeveria e Austrisë për mbështetjen parimore dhe në vazhdimësi ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministri për Evropë dhe për Punëve e Jashtme i Austrisë, Shallenberg është decid se çështjet bilaterale dhe historike të lihen jashtë procesit të negociatave. Për të, Maqedonia e Veriut është vend model për sa i përket procesit të negociatave të pranimit. Ju keni bërë mirë, tha ai, duke shtuar se për këtë arsye ishte i mendimit se do të ishte e drejtë të hapnin negociatat me BE sa më shpejt të ishte e mundur.

Austria është shumë e zhgënjyer që nuk u arrit asnjë marrëveshje për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, sepse pozicioni ynë është që çështjet bilaterale dhe historike të lihen jashtë procesit të negociatave. Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që është e nevojshme për të filluar negociatat dhe mendoj se do të ishte e drejtë të ndodhin sa më shpejt të jetë e mundur. Nga këndvështrimi ynë, nga këndvështrimi im, nevojitej ta bëjmë atë.

Për të qenë i qartë, qëndrimi ynë është që çështjet bilaterale dhe historike duhet të qëndrojnë jashtë procesit të negociatave. Ju keni thënë mirë që procesi i zgjerimit të BE-së është proces i evropianizimit, jo i bilateralizimit, dhe kështu duhet të jetë. Ky ishte qëndrimi ynë mbi çështjen e emrit me Greqinë derisa ishte në rendin e ditës”, tha Shallenberg duke shtuar se vendi mund të llogarisë në mbështetjen austriake për këtë çështje.

Dje për kontestin maqedono-bullgare foli nënkryetarja e Bullgarisë, Ilijana Jotova. Në profilin e saj në Fejsbuk Jotova shkroi se problemet e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut sot janë rezultat i mungesës së një politike kombëtare për bullgarët jashtë vendit.

Problemet tona me Republikën e Maqedonisë së Veriut sot janë rezultat i mungesës së politikës kombëtare për bashkatdhetarët tanë jashtë vendit. Marrëdhëniet tona janë reduktuar në lëshimin e pasaportave bullgarë atje, pa rritjen e ndikimit të Bullgarisë, madje edhe pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë. Ne nuk kemi lobi në qarqet shkencore sllave. Ne nuk i kemi rinovuar dhe nuk kemi hapur lektorate të reja në gjuhën bullgare, për dallim nga ato ekzistuese maqedonase”, thekson Jotova në publikim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu