Osmani: Micotakis nuk mund ta bllokojë Maqedoninë

Marrëveshja e Prespës përpos që zgjidh kontestin shumëvjeçar mes Maqedonisë dhe Greqisë, është edhe garancë për mosbllokimin e integrimeve të vendit në strukturat evropiane. Kështu deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, duke komentuar deklaratën e kreut opozitar grek, Kirjakos Micotakis, i cili së fundmi ka thënë se do të shfrytëzojë të drejtën e vetos në hapjen e kapitujve për integrim të Shkupit në BE. Osmani tha se një gjë e tillë nuk është e mundur, pasi marrëveshja parasheh edhe krijimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“Marrëveshja e Prespës nuk është vetëm marrëveshje për mbylljen së kontestit por, është edhe marrëveshje për krijimin e partneritetit strategjik me Republikën e Greqisë. Që do të thotë se, Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Greqisë krijojnë partneritet dhe mbështetje reciproke për të gjitha projektet, jo vetëm rajonale, por edhe ato të integrimit tonë euroatlantik. Momenti i dytë është se dinamika e implementimi të marrëveshjes është e ndërlidhur me hapjen e kapitujve”.

Ndërsa i pyetur se a do të ketë kandidat për president nga ana e BDI-së, Osmani është përgjigjur se kjo parti akoma nuk është vendosur nëse në zgjedhjet presidenciale do të del me opsionin e kandidatit partiak apo të kandidat të përbashkët me ndonjë parti tjetër politike, shqiptare apo maqedonase.

BUJAR OSMANI, ZV/KRYEMINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE
“BDI në mbledhjen e fundit mori vendim që edhe të fillon procesin e identifikimit të një kandidati potencial por, nëse në ndërkohë do të krijohen parakushte për bashkëpunime eventuale,atëherë do të devijoj këtë bisedim nga kërkesa e një kandidati partiak në kërkesë të një kandidati të përbashkët, qoftë me partitë politike shqiptare, qoftë me partnerin e koalicionit”.

Osmani ka zhvilluar sot një takimin me ministren për Çështje Evropiane të Irlandës dhe me sekretarin shtetëror të MPJ-së finlandeze. Në takim është biseduar për rrugën e vendit drejt integrimeve dhe hapat që duhet përmbushur në këtë drejtim. Zyrtarët e Irlandës dhe të Finlandës gjatë konferencës së përbashkët për media, kanë shprehur mbështetjen e vendeve të tyre për Maqedoninë gjatë procesit të integrimit. /shenja


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu