Pasaporta për shqiptarët e Maqedonisë, ja çka thotë kryeministri Rama (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka interes që marrëdhëniet mes popujve shtetformues në Maqedoninë e Veriut të jenë vëllazërore, ndërsa theksoi se vetot gjatë procesit të integrimit evropian nuk i shërbejnë askujt.

I pyetur nga një i ri për mundësinë e pajisjes së shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me pasaportë shqiptare, për shkak të vetove të Greqisë dhe Bullgarisë në procesin e integrimit në BE, Rama u shpreh se Shqipëria nuk mund të marrë vendime të njëanshme që prekin harmoninë brenda familjes evropiane.

“Unë kam qenë gjithmonë i mendimit që vetot me proces nuk i shërbejnë askujt. Vetot me proces janë pengmarrje dhe janë në thelb jo konstruktive dhe jo dobiprurëse për të afruar vendet me BE, sepse mund të vendosësh veto në fund, kur vjen dita për të thënë a jam a s’jam dakord që ky vend të bëhet sot anëtar, por të vendosësh veto rrugës, a të hapen negociatat a të mos hapen, unë e kam thënë, nuk është evropiane sipas meje. Unë personalisht jam shumë i angazhuar prej kohësh për të nxitur një qasje tjetër të BE ndaj vendeve jo anëtare.

Sa i përket pasaportave, nuk jemi një vend që mund të bëjë ç’të dojë dhe si të dojë, kur vjen puna për gjëra që kanë të bëjnë me harmoninë e brendshme të familjes evropiane. E kanë bërë bullgarët kur u bënë evropianë, sepse pasaporta e tyre u bë shumë e fortë. Ne jemi siç nuk kemi qenë asnjëherë.

Sot ju jetoni në një situatë krejt tjetër në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut. Krejt tjetër nga çfarë ka qenë një dekadë më parë, nuk krahasohet fare. Shqiptarët sot janë më mirë seç kanë qenë ndonjëherë në historinë e tyre, edhe nga fati që na ka buzëqeshur për herë të parë, sipas meje“, u shpreh ai. /tvklan.al


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu