Rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut ishte shumë i ngushtë dhe dilemat se kush do të jetë fitues dhe se a do arrihet cenzusi në raundin e dytë ishin të shumta.
Ndonëse kandidati i mbështetur nga LSDM ishte në një koalicion të gjerë me reth 31 parti ku ndër to kishte përkrahjen edhe të disa partive shqiptare si BDI, Alternativa dhe PDSH, siç u pa edhe nga rezultati në raundin e parë kandidati i LSDM Stevo Pendarovski arriti një fitore mjaft të ngushtë me reth 4.500 vota kundër kandidates të VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska-Davkova, shkruan InfoShqip.
Në raundin e parë u pa se ndihma e BDI-së ishte mjaft e rezervuar dhe u spekulua edhe për një bojkot në heshtje nga BDI për Stevo Pendarovskin, ky bojkot i pjesëshem dhe në heshtje në opinion u komentua se erdhi si shkak i politikave të LSDM ndaj këtyre të fundit dhe si rrjedhojë votat që LSDM grumbulloi nga Komunat me shumicë shqiptare ishin shumë të pakta. Por gjithçka ndryshoi në raundin e dytë ku BDI u përfshi fuqishëm në fushatën elektorale, raund ku edhe pse mungonte kandidati shqiptar, pjesmarrja e shqiptarëve ishte e përafërt me raundin e parë, me çka tregoi se BDI vazhdon të ngelet partia kryesore tek shqiptarët, por edhe faktor kryesor që LSDM arriti të fitojë zgjedhjet presidenciale.
Gjithashtu duhet përmendur dhe fakti që dy javëshi mes dy raundeve zgjedhore për president, përpos ditëve të fushatës u karakterizua edhe nga një ngjarje e pa këndshme për shqiptarët, një arbëresh u dënua me 1100 euro gjobë dhe 5 vite ndalim hyrje në Maqedoninë e Veriut, vetëm pse valëviti flamurin shqiptar në Kalanë e Ohrit në një aktivitet kulturor, akt ky që fuqishëm dëshmoi se gjyqësori dhe politika maqedonase akoma frikësohet nga të drejtat elementare që u takojnë shqiptarëve.
Por si për ironi të fatit, ishin po komunat ku dominon gjuha shqipe dhe flamuri kuq e zi, ata që i sollën fitore kandidatit maqedonas Stevo Pendarovski. Këto zgjedhje gjithashtu dëshmuan gjithashtu se shqiptarët janë të zhgënjyer nga LSDM dhe se nuk e kanë ndikimin e dikurshëm tek votuesit shqiptarë, kështu që rruga e vetme që mund të përdorte për të arritur fitore ishin votuesit shqiptarë por nëpërmjet partive shqiptare. /InfoShqip.com










