Për herë të katërt, ja pse Messi është “mbreti” i Ligës së Kampionëve

Duke pritur gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, kur vjen momenti i së vërtetës (kundër Liverpool), Leo Messi ka marrë vlerësimin e radhës në këtë kompeticion. UEFA e ka shpallur yllin argjentinas lojtarin më të mirë të javës në Champions (çerekfinalet e kthimit), pas paraqitjes mbresëlënëse kundër Manchester United. Dy golat e tij ia bënë misionin më të lehtë Barcelonës.

Prandaj, ky vlerësim nuk përbën aspak çudi. Përkundrazi, është çmimi i katërt i tillë, që merr kapiteni blaugrana në këtë sezon të kompeticionit më të rëndësishëm europian të klubeve. Duhet të kujtojmë se Messi nuk luajti në asnjërën nga dy ndeshjet kundër Interit, në fazën e grupeve.

Messi u zgjodh futbollisti i javës në Champions në xhiron e parë të fazës në grupe, pas “hat-trick” kundër PSV. Po kështu u vlerësua edhe mbas lojës në “Wembley”, kundër Tottenham. Pas dështimit për të luajtur kundër Interit, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” u rishfaq në Eindhoven, për të vulosur kualifikimin e Barcelonës në raundin e dytë, me një gol.

Një ndeshje të shkëlqyeshme bëri edhe në 1/8 finale të Champions-it, ndaj Lyon, por këtë javë roli i protagonisitit shkoi për Cristiano Ronaldon, që realizoi tregolësh kundër Atletico Madridit. Pas atij “stacioni”, Messi u zgjodh përsëri lojtari më i mirë. Shpallja sot, për herë të katërt si lojtari i javës në Ligën e Kampionëve, e vendos Messin në një pozitë tepër të favorshme për të fituar edhe çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit në këtë kompeticion. Sidoqoftë, puna e tij do të duket më shumë në gjysmëfinale, apo në finale.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu