Reshjet e rrëmbyeshme të shiut kanë shkaktuar përmbytje të rënda në një distrikt pranë bregdetit turk të Detit të Zi, duke përmbytur shtëpi dhe biznese, si dhe duke marrë me vete automjete. Të paktën 12 persona janë shtruar në spital me lëndime të lehta, raportoi agjencia shtetërore Anadolu.
Reshjet e dendura të martën në mbrëmje bënë që lumenjtë në distriktin Havza të provincës Samsun të dalin nga shtrati, ndërsa ujërat vërshuan nëpër rrugë duke bartur automjete dhe mbeturina.
Sipas Anadolu, bodrumet dhe katet përdhese të disa objekteve u përmbytën. Pamjet video treguan një shofer që qëndronte mbi një kamion duke pritur të shpëtohej nga ujërat.
Agjencia raportoi se asnjë nga të lënduarit nuk ndodhet në gjendje serioze. Disa prej tyre shkuan vetë në spital, ndërsa të tjerë u ndihmuan nga ekipet mjekësore.
Zjarrfikësit, policia dhe ekipet e emergjencës u angazhuan për të shpëtuar banorët e bllokuar dhe për të pastruar mbeturinat.










