Samiti i Komunitetit Politik Europian i zhvilluar në Tiranë më 16 maj solli jo vetëm deklarata politike e plane për të ardhmen e Europës, por edhe momente simbolike që nuk kaluan pa u vënë re nga opinioni dhe ekspertët.
Një ndër to ishte interaksioni mes presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidentit francez Emmanuel Macron, i cili është komentuar gjerësisht si një përplasje e heshtur nëpërmjet gjuhës së trupit.
Një video e bërë virale tregon momentin kur Macron vendos dorën e tij sipër dorës së Erdogan në një përshëndetje të zgjatur, duke dhënë përshtypjen e një gjesti dominimi apo kontrolli. Por Erdogan nuk e la pa reagim – ai shtrëngoi një nga gishtat e Macron, duke kthyer këtë gjest në favorin e tij.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Marlind Laçi, e interpretoi këtë si një përballje gjeopolitike mes dy liderëve:
“NË GJUHËN DIPLOMATIKE, VENDOSJA E DORËS MBI TJETRIN ËSHTË NJË SHENJË DOMINANCE. MACRON TENTOI TË SHFAQTE NJË LLOJ SUPERIORITETI, POR ERDOGAN REAGOI ME NJË ‘KUNDËRSULM’ TË HESHTUR, DUKE SHTRËNGUAR GISHTAT E MACRON – NJË SINJAL I QARTË SE NUK DO TË TOLEROJË TË NËNVLERËSOHET,” – U SHPREH LAÇI.
Ai shtoi se kjo përplasje e trupit pasqyron edhe tensionet mes dy vendeve në skena të ndryshme ndërkombëtare, si:
Konflikti Armeni-Azerbajxhan, ku Turqia mbështet Azerbajxhanin dhe Franca Armeninë;
Kriza në Libi, me interesa të kundërta strategjike;
Përplasjet në Mesdheun Lindor, për çështje të gazit natyror dhe kufijve detarë.
Sipas Laçit, Erdogan dërgoi një mesazh të fortë në nivel simbolik, duke treguar se “Franca dhe Europa janë në rënie, ndërsa një yll i ri – Turqia – po rritet në skenën globale”.
Ky episod i vogël por shumë domethënës është një kujtesë se diplomacia nuk flitet vetëm me fjalë, por edhe me sy, duar, dhe qëndrime që shpesh thonë më shumë se çdo fjalim politik