Momente paniku janë regjistruar në portin e Cattolica-s, në Itali, ku një 45-vjeçar shqiptar dyshohet se, pas një konflikti të ashpër me bashkëshorten, e ka drejtuar makinën me shpejtësi drejt ujit, ndërsa gruaja ndodhej brenda. Të dy kanë mundur të dalin nga automjeti dhe janë shpëtuar nga personat që ndodheshin pranë portit.
Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite, rreth orës 16:00, në portin e Cattolica-s. Sipas mediave italiane, çifti ndodhej në një automjet të tipit “Volkswagen Golf” kur, pas një debati të fortë, 45-vjeçari shqiptar, banues në San Giovanni in Marignano, e drejtoi makinën me shpejtësi drejt bregut dhe përfundoi në ujërat e portit.
Në momentin e përplasjes me ujin, dyert e automjetit u hapën dhe burri e gruaja arritën të dilnin nga kabina përpara se makina të fundosej. Disa persona që ndodheshin në zonë u hodhën në det dhe e ndihmuan çiftin të dilte në breg.









