Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanović, ka refuzuar të japë miratimin për ambasadorin e ri të Izraelit në Zagreb, duke e lidhur vendimin me “politikat që po ndjekin autoritetet aktuale izraelite”.
Në një deklaratë zyrtare të publikuar të hënën, zyra e presidentit bëri të ditur se kandidati i propozuar nga Izraeli “nuk ka marrë dhe nuk do të marrë pëlqimin e Presidentit të Republikës, Zoran Milanović”.
Milanović, i cili prej muajsh është shfaqur si një nga kritikët më të ashpër europianë të luftës izraelite në Gaza, tha se deri tani kishte shmangur komentet publike për këtë çështje për shkak të praktikës diplomatike. Por ai akuzoi Izraelin se kishte thyer një “rregull të pashkruar”, duke shpallur emrin e ambasadorit përpara se të merrte miratimin zyrtar të presidencës kroate.
Ministria e Jashtme izraelite reagoi duke deklaruar se po punon me autoritetet kroate për të “zgjidhur çështjen e statusit të ambasadorit të ardhshëm të Izraelit në Zagreb”.
Marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Izraelit janë tensionuar ndjeshëm muajt e fundit për shkak të luftës në Gaza dhe zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Në muajin shkurt, Milanović deklaroi se ushtarët kroatë nuk do të bashkëpunonin me ushtrinë izraelite “për shkak të veprimeve të papranueshme dhe shkeljeve të paprecedenta të së drejtës humanitare ndërkombëtare”.
Ndërsa në mars, presidenti kroat dënoi luftën SHBA-Izrael kundër Iranit, duke paralajmëruar se përpjekjet për ndryshim regjimi në Teheran mund të sillnin “dëme ekonomike” dhe pasoja afatgjata.
Diplomati izraelit Nissan Amdur ishte planifikuar të zëvendësonte ambasadorin Gary Koren, mandati i të cilit përfundon në fund të majit. Sipas mediave izraelite, Amdur pritet të shkojë në Kroaci si i ngarkuar me punë, një post që nuk kërkon miratim presidencial.










