Putin dëshiron ta vazhdojë luftën, po kush do t’i plotësojë radhët e ushtrisë së gjymtuar ruse?

Shërbimi sekret i ushtrisë ushtarake britanike, vlerëson se Rusia ka humbur mbi 1/3 e forcave luftarake tokësore që kishte grumbulluar përpara fillimit të pushtimit. Ushtria ruse ka pësuar humbje të rënda për shkak të gabimeve të mëdha operacionale dhe një rezistence të ashpër të trupave ukrainase, të mbështetur nga Perëndimi me dërgimin e armëve të sofistikuara.

Zyrtarët thonë se deri tani Departamenti Amerikan i Mbrojtjes nuk ka parë prova të një mobilizimi masiv rus. Por ndërsa Rusia po përpiqet të hedhë në betejë më shumë forca, ajo po detyrohet në ndonjë rast të përdorë grupe luftarake të janë të keq-pajisura, duke përfshirë njësitë që pësuan humbje në përpjekjet e tyre të dështuara për pushtimin e kryeqytetit të Ukrainës, Kiev.

Në vend të një fushate mobilizimi masiv, që ka të ngjarë të jetë jo popullore, Rusia ka grumbulluar përforcime duke marrë trupat nga territoret e pushtuara në Gjeorgji, duke sjellë mercenarë nga Siria, rekrutuar civilë në rajonet e pushtuara në Donbas, duke i detyruar ushtarët të qëndrojnë në fushën e betejës, dhe përdorur stimuj financiarë për rekrutët më të rinj.

Zyrtarët dhe ligjvënësit ukrainas, kanë vënë re gjithashtu se Rusia po përdor trupat që kanë më pak përvojë nga zona më të largëta, si qyteti-port lindor i Vladivostokut, në vend të përdorimit të njësive elitare që pësuan humbje të rënda në fillim të luftës.

Dhe Pentagoni beson se në rajonin Donbas është aktiv edhe grupi paraushtarak Wagner.

Ata po bëjnë të gjitha lëvizje për të gjetur ushtarë të tjerë”– thotë Frederick Kagan, drejtor i Projektit të Kërcënimeve Kritike në think-tankun “American Enterprise Institute”.

Një projektligj i publikuar në faqen e internetit të parlamentit rus të premten, tregoi se ligjvënësit rusë janë të vendosur të heqin kufirin e sipërm të moshës, në të cilin rusët mund të regjistrohen për shërbimin ushtarak.

Amendamenti, i paraqitur nga kreu i komisionit parlamentar të mbrojtjes, Andrey Kartapolov, argumentoi se është e nevojshme të rekrutohen specialistë që kanë vite përvojë. Kufiri aktual është 40 vjeç për rusët, dhe 30 vjeç për shtetasit e huaj.

Gjatë javëve të para të fushatës në Donbas, pasi dështimit të përpjekjes katastrofike të Moskës për të sulmuar dhe pushtuar Kievin, Rusia u përpoq t’i mposhtte forcat ukrainase

me forcën e numrave dhe në terrenin e saj më të sheshtë, duke i goditur rëndë objektivat me raketa dhe artilerie, përpara se të dërgonte batalionet e forcave tokësore.

Por përparimi në terren mbetet shumë larg pritshmërive të Putinit, ndërsa njësitë ushtarake ruse po largohen edhe nga qytetet kufitare të Ukrainës siç është Kharkiv. Dhe kjo imponon një ndryshim tjetër në taktikat e ushtrisë ruse.

Të mërkurën e javës së kaluar një zyrtar i lartë i Pentagonit, tha se Rusia ka nisur të zvogëlojë përmasat e sulmeve të saj duke përdorur njësi më të vogla në Donbasin Verior, me gjasë për shkak të humbjeve të mëdha që ka pësuar në luftë. “Ushtria ruse po del nga binarët”- thotë Kagan.

Të premten e javës së kaluar, shërbimi sekret ushtarak i Britanisë së Madh, vlerësoi se komandantët rusë gjenden nën një presion gjithnjë e më të madhe për të arritur objektivat e tyre, duke i detyruar ata të rivendosin forcat e rraskapitura nga beteja pa pasur kohë të mjaftueshme për t’i ri-furnizuar, duke rrezikuar kështu pësimin e humbjeve të mëtejshme.

Zyrtarët britanikë besojnë se në disa zona në Donbas, pavarësisht se raporti i forcave me ato ukrainase është me shumë se 3 me 1, integrimi i dobët i artilerisë dhe i njësive tokësore të ushtrisë e ka penguar përparimin. Edhe pse zyrtarët ukrainas besojnë se bombardimet ruse kanë qenë efektive në shkaktimin e shumë më tepër viktimave, sesa gjatë përpjekjeve të dështuara për të pushtuar Kievin.

Rusët nuk po munden që të arrijnë ende synimet e tyre, pjesërisht për shkak të dobësive strategjike, dhe në këto kushte u rikthehen taktikave sovjetike të bombardimeve masive me artileri që janë shumë të pasakta sa i përket shenjestrës”- u tha gazetarëve javën e kaluar Sekretari Britanik i Mbrojtjes Ben Wallace gjatë një vizite në Uashington.

Kjo është ajo që ndodh çdo ditë. Ata nuk po përparojnë në shumë zona dhe zgjidhja e tyre është vetëm strategjia e mishit për top”-shtoi ai. Forcat gjithnjë e më të dëmtuara të Moskës ka të ngjarë të hasin akoma më shumë vështirësi në fushën e betejës.

“Edhe nëse Putin do të shpallte nesër mobilizimin e përgjithshëm, sulmi që po zhvillohet aktualisht do të arrijë kulmin brenda 2 javëve të ardhshme. Por rusët nuk kanë një personel të trajnuar që të mundin ta ripërsërisin sulmin brenda një periudhë kohore të shkurtër”– thekson Kagan.

Wallace u tha gazetarëve enjten e shkuar se Rusia kishte rreth 106 grupe taktike batalioni (BTG) që luftonin në Ukrainë, i njëjti numër si në fillim të javës. “Ata hodhën sërish në luftime disa njësi që nuk ishin 100 për qind të pajisura dhe përgatitura siç duhet. Disa njësi ishin aq të dobësuara saqë u shpërndanë dhe u kombinuan me disa njësi të tjera”- shtoi Wallace.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se Rusia ka angazhuar në luftën në Ukrainë gati 2/3 e njësive të saj luftarake tokësore të vijës së parë. Por zyrtari i lartë amerikan beson se Rusia do të detyrohet të lëvizë edhe njësitë e tjera për shkak të dështimeve logjistike.

Disa nga dështimet ushtarake të Rusisë në këtë konflikt, përfshirë fundosjen e kryqëzorit “Moskva” në prill dhe dështimin për të pushtuar Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, e kanë nxitur Putinin të pezullojë nga detyra dy komandantët e lartë.

Ndërkohë brenda Rusisë kanë nisur të dëgjohen më fort zërat kundër luftës. Zyrat e rekrutimit ushtarak në të gjithë vendin janë goditur me shishe molotov, si një shenjë proteste ndaj përpjekjeve të fshehta të regjimit për të mobilizuar trupa të reja, raportoi Instituti për Studimin e Luftës me qendër në Uashington.

Blogerët ushtarakë, që janë zakonisht shumë patriotë, kanë nisur ta vënë në dyshim mënyrën e drejtimit të luftës nga Moska, pasi gati 500 trupa dhe 80 pajisjeve ushtarake u humbën në një përpjekje katastrofike për të kaluar lumin Siverskyi Donets. “Koktejet Molotov janë vetëm fillimi. Blogerët ushtarakë kanë shumë peshë në opinionin publik, dhe situata mund të bëhet shumë problematike për stabilitetin e regjimit të Putinit”– thotë Kagan.

Nga Amy Mackinnon “Foreign Policy”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu