Është zhvilluar sot seanca e parë gjyqësore me dyer të mbyllura kundër Sulejman Osmanit, njërit prej të akuzuarve në rastin e Kumanovës.
Sipas avokatit mbrojtës, Naser Raufit, seanca është e mbyllur për shkak se në rend është shqyrtimi i transkriptave të telefonatave të zhvilluara mes Osmanit dhe agjentëve të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, të cilat i propozoi prokuroria.
“Ne i kemi dëgjuar këto telefonata që kanë qenë të përzgjedhura prej periudhës së 21 prillit deri në 25, këto katër ditë. Përndryshe, këto kanë qenë duke u përcjellë prej janarit të 2015, grupi dhe të tjerë njerëz. Shërbimi sekret mund të ishte i involvuar në këtë rast.
Sipas telefonatave që kanë qenë në pyetje, del ai konstatimi im që kam thënë se kjo punë është bërë me ndërhyrje të shërbimit sekret. Unë mendoj dhe besoj se kjo ngjarje ka mundur të prevenohet, pra të ndërpritet, pasi e ka ditur edhe vetë shteti, sigurimi i shtetit dhe MPB-ja e kanë ditur çfarë po përgatitet dhe çfarë do të ndodhë”, deklaroi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Sulejman Osmani u bë i njohur për opinionin publik pas dorëzimit të të mbijetuarve të konfliktit, ku ai në mënyrë misterioze, me pranga në duar, arriti t’i ikë policisë maqedonase, ku pas arratisjes u ekstradua nga Kosova në Maqedoni.