Reagon fondacioni FOCIC:Nuk e kemi financuar Lëvizjen BESA

Pas lajmit të publikuar ditë më parë nga media të caktuara në Kosovë për gjoja finansimet që nëpërmjet fondacionit FOCIC me para nga Katari është finansuar Lëvizja Besa, sot me reagim është paraqitur vetë ky fondacion, duke demantuar lajmin dhe duke paralajmëruar se do të padisë shpifësit.

Në vazhdim ua përcjellim reagimin e plotë:

Pas një lajmi me plot shpifje, që dje portali lajmi.net (http://lajmi.net/ja-kush-qendron-financiarisht-pas-levizjes-besa-ne-maqedoni-dokumentefoto-2/) e ka publikuar për Fondacionin “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC), duke bërë aluzione të çuditshme shpifëse, duke publikuar të dhëna personale të njerëzve (që është në kundërshtim me ligjin) dhe duke krijuar relacione që edhe mendjet më konspirative ua kanë zili, jemi të detyruar të bëjmë një shpjegim të vogël, jo për t’i ndalur shpifjet, sepse “fjalët e njerëzve dhe vrimat e gardhit nuk mbyllen kurrë”, por për të njoftuar opinionin se FOCIC-i ka vendosur që tash e tutje të gjitha shpifjet që bëhen në adresë të këtij fondacioni t’i denoncojë në gjykatë, ndërsa ata që mburren me “argumente”, le ta bindin gjykatën.

Ndërkaq, për opinionin e gjerë e shpjegojmë shkurtimisht vetëm këtë:

1. Fondacionin “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC) është pronar i objekteve të ish Vilajetit të Kosovës në Shkup dhe nuk ka asnjë pronë tjetër.

2. Objektet janë blerë me mbështetje të Shtetit të Katarit dhe në pajtim me të gjitha dispozitat ligjore në Maqedoni,;

3. Transaksioni i kryer përmes llogarisë bankare, qysh në vitin 2010, që ka qenë vetëm sa vlera e blerjes së objektit, ka qenë transparent për organet shtetërore dhe për këtë nuk ka pasur asnjë vërejtje ose ankesë;

4. Pas këtij donacioni (blerjes së dy objekteve), në FOCIC nuk ka ardhur më asnjë donacion tjetër financiar;

5. Megjithëse FOCIC-i ka bërë aplikim për restaurimin e objekteve në fjalë, deri tash nuk ka asnjë përgjigje;

6. FOCIC-i kurrë nuk ka pasur më shumë se tre punëtorë (aktualisht i ka vetëm dy);

7. FOCIC-i asnjëherë nuk ka financuar asnjë organizatë tjetër, përfshirë edhe subjekte politike

Rrjedhimisht, të gjitha që janë thënë në atë informacionin e sipërmendur, të botuar në portalin lajmi.net dhe të rimarrë edhe nga shumë portale të tjera, janë vetëm trillime dashakëqija me agjenda të caktuara. Por, ato do t’i lëmë t’i shpjegojnë në gjykatë, si dhe në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Ashtu siç e kemi përcaktuar në dokumentet tona themelore, FOCIC-i ka për synim zhvillimin e dialogut ndëretnik, ndërreligjioz dhe ndërkulturor, duke ndërtuar ura bashkëpunimi mes komuniteteve të ndryshme në Ballkan, ndërsa në plan afatmesëm synon të ngrejë institute kërkimore dhe qendra hulumtuese, që do ta përçojnë këtë vizion. Ndonëse në të kanë qenë ose janë anëtarë të organeve të ndryshme eksponentë politikë shqiptarë, boshnjakë, maqedonas, turq etj. dhe, madje, jo vetëm në Maqedoni, kjo në asnjë rast nuk nënkupton që edhe FOCIC-i ka ndonjë ngjyrim politik. FOCIC-i askujt nuk ia kufizon bindjet politike, siç nuk lejon që edhe askush ta involvojë FOCIC-in në çfarëdo debati për qëllime politike.

Shkup, 05.01.2016

Kryesia e Fondacionit “Qendra e Civilizimit Islam” – Shkup


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu