Rusia i përgjigjet BE-së: Embargoja e naftës do t’ju kthehet në bumerang, hap vetëshkatërrues

Rusia ka paralajmëruar se vendimi i Bashkimit Evropian për të vendosur embargo të pjesshme ndaj karburanteve të Rusisë, është një hap vetëshkatërrues që mund t’i kthehet në një bumerang bllokut.

Të hënën, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian njoftuan se 90% e importeve të naftës nga Rusia do të shkurtoheshin deri në fund të këtij viti, si pjesë e sanksioneve të mëtejshme për të ndëshkuar Moskën për pushtimin e Ukrainës.

Por ministria e jashtme e Rusisë thotë se masa “ka shumë gjasa të provokojë rritje të mëtejshme të çmimeve, të destabilizojë tregjet e energjisë dhe të prishë zinxhirët e furnizimit”.

Moska ka këmbëngulur gjithashtu se nuk do ta shesë naftën e saj me humbje. Në një konferencë shtypi, Kremlini tha se edhe nëse kërkesa bie në një pjesë të botës, ajo do të rritet në një tjetër – dhe “rrjedhat ruse” do të ridrejtohen në përputhje me rrethanat.

Blerjet e naftës nga Rusia nga India, konsumatori i tretë më i madh në botë i naftës, janë më shumë se dyfishuar nga viti i kaluar, pasi India përfiton nga çmimet e zbritura.

Megjithatë, shefi i Këshillit Evropian Charles Michel argumenton se ndalimi në mbarë BE-në do të ndërpresë një burim të madh financimi për makinerinë ruse të luftës, duke ushtruar presion mbi Moskën për të rënë dakord për një zgjidhje diplomatike dhe për t’i dhënë fund pushtimit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu