Papunësia është një nga fenomenet më shqetësuese në shoqërinë shqiptare, e cila ka shkaktuar largimin masiv të të rinjve drejt veneve perëndimore, për shkak të mundësive të limitura që ofrohen në Shqipëri.
INSTAT ka publikuar shifrat e qarqeve që kanë numrin më të lartë të personave të papunësuar.
Referuar shifrave të INSTAT, vihet re se Vlora mban rekord, si qarku me papunësinë më të lartë, edhe pse është vend bregdetar e turistik, duket se emigracioni apo punësimi sezonal ka bërë që ta rendisë në krye të listës, me 23.5 për qind.
Referuar shifrave të tremujorit të tretë të 2018-ës, distanca e shkallës së papunësisë midis Vlorës dhe qarqeve të tjera është tejet e lartë. Në vendin e dytë renditet, qarku i Lezhës me 19.1 për qind, që sërish afërsia me detin mesa duket nuk e zbut papunësinë, shkruan “Scan”.
Ndër qarqet e tjera me shkallë papunësie të lartë renditen Tirana me 16.6 për qind, Durrësi me 13.4 për qind dhe Shkodra me 12.3 për qind.
Ndërsa Qarku me papunësinë më të ulët rezulton të jetë Korça me rreth 5.1 për qind, si dhe Dibra e Berati që qëndrojnë rreth kësaj vlerë.
Këto janë shifrat e fundit të disponueshme nga INSTAT, që tregojnë tendencën në afatgjatë të papunësisë në vend, ku të papunë listohen të gjithë individët që janë në kërkime të një vendi pune.










