Shkollat serbe në Kosovë: Me planprograme të Serbisë dhe tekste përbuzëse për shqiptarët

Në territorin e Kosovës, funksionojnë 102 shkolla të nivelit të ulët dhe të mesëm të arsimit, të cilat punojnë sipas planprogrameve serbe. Kjo e drejtë bashkësisë serbe i mundësohet përmes dispozitave të Planit të Ahtisaarit, si dokumenti gjithëpërfshirës, mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

I ashtuquajturi shefi rajonal për arsim i Qeverisë së Serbisë në Kosovë, Predrag Stojçetoviq, thotë se në veri dhe jug të lumit Ibër (nga veriu në jug të Kosovës), funksionojnë 70 shkolla fillore, 32 të mesme, si dhe 14 institucione parashkollore. Ai thotë se Qeveria e Serbisë përkujdeset për arsimin në Kosovë, për aq sa ka mundësi.

Gjendja e arsimit në gjuhën serbe, sipas tij, ndryshon varësisht vendit dhe zonës ku shtrihen vendbanimet e serbëve.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Usmen Baldzhi, thotë se të drejtat e bashkësisë serbe, krahasuar me komunitetet tjera në Kosovë, janë shumë më të mëdha, dhe kjo vërehet edhe në fushën e arsimit. Por, pavarësisht këtij fakti, nënvizon ai, përfaqësuesit serbë nuk pranojnë të diskutojnë në lidhje me integrimin e tyre në kuadër të sistemit arsimor të Kosovës.

Stojçetoviq thotë se aktualisht nuk ka ndonjë bashkëpunim me organet dhe Ministrinë e Arsimit të Republikës së Kosovës.

“Ne jemi pjesë e sistemit arsimor të Serbisë. Nuk e kemi për obligim që të bashkëpunojmë me Ministrinë e Arsimit të Kosovës dhe se sistemi ynë është i pavarur nga ta”, deklaron ai.

Edhe në lidhje me pagat, ai mendon se ato do të duhej të realizoheshin vetëm përmes buxhetit të Serbisë.

“Të gjithë ata që marrin paga nga sistemi ynë i Ministrisë së Arsimit të Serbisë, nuk do të duhej të merrnin pagë edhe nga Ministria e Arsimit e Kosovës”, thekson Stojçetoviq. “Çdo integrim i dhunshëm do të sillte deri te thyerjet, apo ndoshta edhe do të nxiste shpërnguljen e popullatës joshqiptare. Mund të them se kushdo që do të merret me këtë çështje, duhet të tregohet shumë i kujdesshëm”!

Ndryshe, një komision i pavarur i ngritur në Kosovë në vitin 2010 gjatë një rishikimi që u ka bërë teksteve mësimore në gjuhën serbe, ka konstatuar se këto tekste janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se flasin vetëm për një pjesë të historisë së Ballkanit, nuk promovojnë paqen dhe tolerancën dhe nuk përmendin historinë e popullit shqiptar.

Një shembull i treguar, kishte vënë në pah se në historinë në gjuhën serbe të klasës së shtatë, fëmijët mësojnë se si shqiptarët i kanë sulmuar vazhdimisht serbët me qëllim që t’i shpërngulin nga Kosova dhe se shqiptarët janë prezantuar si plaçkitës të kishave ortodokse. Ndërsa, në historitë për klasat e pesta thuhet se ilirët, (paraardhësit e shqiptarëve), ishin plaçkitës.

Pavarësisht se ishte kërkuar që këto konstatime të hiqen nga librat serbe tëhistorisë, kjo nuk ka ndodhur. /REL/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu