Shqipëria forcon mbrojtjen, blen 6 topa artilerie nga Turqia

Kontrata, e nënshkruar me kompaninë turke MKE, parashikon furnizimin me gjashtë sisteme topash BORAN, 105 mm, si edhe municionin përkatës. Shqipëria bëhet vendi i tretë në botë që pajiset me to, pas Bangladeshit dhe Maqedonisë së Veriut.

Shqipëria ka blerë gjashtë topa artilerie BORAN nga Turqia, duke u bërë vendi i tretë në botë që pajiset me to. Më herët, ky sistem është blerë nga Bangladeshi dhe Maqedonia e Veriut.

Kontrata, e nënshkruar me kompaninë turke MKE, parashikon furnizimin me gjashtë sisteme topash BORAN, 105 mm, si edhe municionin përkatës,raporton Ulusavunma.

Me një peshë prej rreth 1.700 kilogramë, sistemi BORAN mund të transportohet nga ajri me helikopterët Sikorsky Black Hawk që janë pjesë e Forcave Ajrore të Shqipërisë. Sistemi është në gjendje të realizojë 6 deri në 12 qitje në minutë dhe ofron saktësi të lartë falë Sistemit të Kontrollit të Zjarrit të mbështetur nga teknologjia GPS.

BORAN është i pajisur me një radar të integruar për matjen e shpejtësisë së predhës në dalje nga gryka e armës, një matës elektro-optik të distancës me lazer, si dhe një kompjuter balistik për kontrollin e zjarrit.

Sistemi është projektuar për t’u integruar në një arkitekturë të komandës dhe kontrollit të mbështetur në rrjet, duke i mundësuar operimin në mjedise të përbashkëta ushtarake.

Topi BORAN 105 mm ka një rreze maksimale qitjeje deri në 17 kilometra.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu