Sofja i përgjigjet Shkupit: Jemi të gatshëm për bisedime, por pa ultimatume

Bullgaria është e gatshme për bisedime me Maqedoninë e Veriut, por pa ultimatume dhe pa devijuar nga politika evropiane, ka deklaruar presidentja bullgare Ilijana Jotova, pas mesazheve të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Shkup.

Jotova tha se është “e moderuar optimiste” dhe se do t’i kërkojë ministres së Jashtme bullgare, Velislava Petrova Çamova, t’ia paraqesë notën diplomatike të dërguar nga ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, me kërkesën për një takim bilateral në Sofje.

Kërkesa për takim erdhi pas vizitës së Von der Leyen në Shkup më 2 tetor. Kryeministri Mickoski deklaroi se presidentja e Komisionit Evropian e kishte këshilluar që si hap të parë të kërkohej një takim zyrtar me palën bullgare. Mucunski më pas i dërgoi Sofjes notë diplomatike për të caktuar takim me homologen e tij bullgare.

Mickoski ka kërkuar që Bashkimi Evropian të përfshihet më drejtpërdrejt në procesin e dialogut me Bullgarinë, duke argumentuar se nevojitet një zgjidhje e qëndrueshme dhe e qartë, me detyrime që zbatohen nga të dyja palët.

Nga ana tjetër, Jotova e kundërshtoi këtë qasje, duke theksuar se Shkupi duhet të heqë dorë nga paraqitja e çështjes si vetëm bilateral. Sipas saj, Bullgaria është pjesë e Bashkimit Evropian dhe procesi duhet të zhvillohet në përputhje me politikën evropiane të zgjerimit.

Ndërkohë, gjatë vizitës në Shkup, Ursula von der Leyen përsëriti se ndryshimet kushtetuese mbeten të rëndësishme për vazhdimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për hapjen e grupit “Themeloret”. Ajo tha se pas zhbllokimit të procesit, vendi mund të ecë drejt një “roadmap” për fazën e ardhshme të integrimit.

Takimi eventual mes përfaqësuesve të Shkupit dhe Sofjes pritet të zhvillohet javën e ardhshme, në kuadër të takimit ministror që lidhet me Korridorin 8.

Mbetet të shihet nëse ky kontakt i ri diplomatik do të sjellë hapa konkretë në zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.(INA)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu