Spasovski: Kërcënimet me bomba janë realitet i ri

Kërcënimet me bomba janë potencialisht vepra terroriste dhe për këtë arsye organet hetuese në vend janë në komunikim me vendet anëtare të NATO-s, me Europolin dhe me Interpolin. Ministri i Punëve të Brendshme thotë se ka shumë faktorë që e kundërshtojnë anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, aspiratat për anëtarësim në BE, që mund të jetë arsye për kërcënimet, të cilat kanë për qëllim rrëzimin e institucioneve dhe përmbysjen e Qeverisë. Këtyre sulmeve duhet t’u kundërvihet gjithë shoqëria, ka theksuar Spasovski në emisionin e mbrëmshëm Klan Debat.

Pozita gjeostrategjike e vendit dikujt nuk i pëlqen, kështu që përmes kërcënimeve të përditshme me bombat synon destabilizimin e sistemit, frikën dhe panikun, si dhe harxhimin e resurseve të vendit dhe përmbysjen e Qeverisë. Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski shpreh bindjen se në kërkimin e kërcënuesve bashkëpunojnë me të gjitha organet hetuese ndërkombëtare.

“Në të njëjtin moment kur i marrim ne raportojmë dhe kërkojmë mbështetje, që të mund t’i shfrytëzojmë kapacitetet. Vetë akti i bashkëpunimit përmes Interpolit do të thotë bashkëpunim me të gjitha shtetet që mund të na ndihmojnë, e njëjta vlen edhe për bashkëpunimin me Europolin dhe me të gjitha vendet anëtare të Aleancës së NATO-s” – tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Sulmet e këtilla hibride, të cilat përveç në Maqedoninë e Veriut ndodhin edhe në më shumë vende në Ballkan, por edhe në botë, nga SHBA-të deri në Zelandën e Re, po bëhen realitet i ri për qytetarët.

“Paralajmërimet për bomba janë kryerje potenciale e veprave terroriste, kjo do të thotë se gjithë shoqëria duhet të jetë e përfshirë në mbrojtje nga një sulm i tillë që na ndodh, dhe këtu nuk ka zgjidhje në vetëm një institucion.”

-Do të thotë ky është realiteti i ri?

-Ky është realiteti i ti, me këtë realitet të ri duhet të përballemi. Do të duhet të gjithë së bashki, nga sistemi arsimor dhe më tej, të kyçemi të gjithë.”

Rastin “Onishçenko” Spasovski e përshkroi si goditje serioze në imazhin e Maqedonisë së Veriut dhe partneritetit strategjik me SHBA-të, duke shtuar se për zgjedhjen e drejtorit të ri të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, nuk është konsultuar.

“Unë në asnjë moment nuk kam marrë pjesë në zgjedhjen e kandidatit për drejtor të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, si Ministër i Punëve të Brendshme. A është dashur të më pyesin, mendoj se është dashur. Megjithatë këto janë vlerësime që i bën Kryetari i Qeverisë” – tha Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme.

Spasovski, në Klan Debatin e mbrëmshëm ka shprehur optimizëm se hetimi për rastin “Onishçenko” do të hetohet deri në fund. /KlanMacedonia


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu