ë shtëna me armë zjarri janë raportuar gjatë darkës vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, e mbajtur të shtunën në mbrëmje në hotelin Washington Hilton në Uashington.
Si pasojë e incidentit, presidenti amerikan Donald Trump është evakuuar menjëherë nga salla nga agjentët e Shërbimit Sekret, të cilët sipas dëshmitarëve kanë bërtitur “ka të shtëna” ndërsa nisnin evakuimin e të pranishmëve.
Bashkë me Trumpin, nga ambientet janë larguar edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe disa anëtarë të administratës amerikane.
Sipas CNN, që citon burime të veta, presidenti dhe zyrtarët e tjerë janë të sigurt dhe jashtë rrezikut.
Më vonë, Shërbimi Sekret i SHBA-së njoftoi përmes platformës X se një person është arrestuar në lidhje me incidentin.
Në një reagim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se “sulmi u parandalua” dhe falënderoi forcat e sigurisë për reagimin e shpejtë dhe profesional.
Ai shtoi se i dyshuari është ndaluar, duke e përshkruar si “një person të vetëm, të çrregullt mendërisht”. Sipas raportimeve paraprake, bëhet fjalë për një mësues 31-vjeçar.
Ndërkohë, gazetari i CNN, Wolf Blitzer, deklaroi se ndodhej shumë pranë vendit të ngjarjes në momentin e të shtënave.
“Papritur një person i armatosur, me një armë shumë serioze, filloi të qëllojë. Unë isha vetëm disa hapa larg tij në atë moment”, tha ai gjatë një lidhjeje live.
Autoritetet amerikane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.










