Tifozët Kuq e zi: Nuk kthehemi në stadium

Tifozët kuqezi nuk do të rikthehen në stadium. Pavarësisht letrës së hapur nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, zemra e tifozerisë shqiptare kërkon respekt dhe heqjen e masave drastike nga ana e policisë në dëm të tyre. Disa prej drejtuesve të tifogrupit të Kombëtares Shqiptare, bëjne të qarta pikat ku nuk bien dakort me sjelljen e forcave të rendit. Gerti Peshkopia dhe Gentian Xhengo sqarojnë shkaqet e vendimit drastik të marrë nga “Tifozët Kuqezi”.

Gerti Peshkopia…”Janë marrë masa drastike ndaj nesh. U ushtrua presion shumë i madh. Këto masa nuk janë regjistruar vetëm në ndeshjen e fundit por po përsëriten në vazhdimësi.

Gentian Xhengo…”Gjithçka nisi që në ndeshjen me Portugalinë dhe vazhdoi me Serbinë e me radhë. Heqja e simboleve por edhe ndalimi i bluzave dhe banderolave janë disa nga shkaqet pse e kemi marrë këtë vendim.

Për Sajmir Çollakun, “Tifozët Kuqezi” meritojnë trajtim ndryshe, ashtu siç ndodh në stadiumet jashtë vendit ku ata kanë qenë të pranishëm përherë.

Sajmir Çollaku…”Ne nuk jei terroristë. Kërkojmë të mbështesim Kombëtaren dhe duam një trajtim sa më normal, ashtu siç ndodh në çdo stadium jashtë”.

Për “Tifozët Kuqezi”, shkaktari kryesor i kësaj situate është policia dhe bojkoti do të prishet vetëm nëse forcat e rendit nuk do të veprojnë me dorë të hekurt ndaj tyre.

Gerti Peshkopia…”Federata ka punën e saj. Ne nuk merremi me federatën. Gjithçka që kërkojmë është që të mos ketë policë në tribuna. Vendimi për largimin nga stadiumi i takon kryesisë por jam i sigurt se do të jetë në fuqi për LIhtenshtejnin dhe të gjitha ndeshjet miqësore që Shqipëria do të luajë në vendin tonë”.

Në fund, përfaqësuesi i tifogrupit “Tifozët Kuqezi” ka një mesazh të qartë ku kërkon që të gjitha simbolet e lejuara nga UEFA, të mos pengohen nga policia.

Nëse Tifozët Kuqezi nuk do të bëjnë një hap pas në qëndrimin e tyre, atëherë ata nuk do të jenë të pranishëm në ndeshjen e fundit eliminatore të shtëpisë kundër Lihtenshtejnit por edhe në miqësoret që do të zvillohen deri në fund të vitit tjetër./SS/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu