Tre herë deputet në Suedi, shqiptari: Kujt ja dedikoj suksesin

Adnan Dibrani është shqiptari që ka fituar mandatin e tretë si deputet në Parlamentin e Suedisë. Në një prononcim për Klan Kosova, shqiptari është shprehur se ndjehet mirë për këtë sukses.

Duke qenë shqiptari i vetëm që ka fituar ulëse në kuvendin suedez, ai ka theksuar se meritë për këtë sukses janë bashkatdhetarët të cilët jetojnë në Suedi, pasi i kanë dhënë përkrahje në garën elektorale.

“Partinë dhe shqiptarët i kam pasur në krah, prandaj ka ardhur suksesi. Është shumë ndjenjë e mirë, veçanërisht pasi kjo është hera e tretë që zgjidhem si deputet. Ka pas edhe shqiptarë të tjerë në garën zgjedhore, por që tash pas zyrtarizimit të rezultateve kanë mbetur në nivele të tjera, nëpër komuna. Kam pasur edhe partinë si përkrahëse pasi në fushatë kam hyrë me përkrahjen e partisë dhe normal kur e ke partinë e fortë vjen suksesi”- ka thënë shqiptari.

Dibrani ka thënë se ka marrë rreth 6% të votave të partisë, ndërsa ka përmendur se të gjithë ata që kanë vota mbi 5% nga totali sa ka partia, e kanë të sigurt ulësen në parlament.
Është Partia Socialdemokrate të cilës ai i përket ka dalë fituese e zgjedhjeve me mbi 28% të votave, duke lënë pas bllokun e djathtë dhe tashmë i ka mbetur që të formojë qeverinë. Sipas Dibranit, të hënën ose të martën do të konstituohet kuvendi ku dhe do të zgjidhet kryetari i ri.

Deputeti shqiptar ka thënë se edhe në mandatin e tretë si deputet do t’i vërë në pah interesat dhe problemet e shqiptarëve që jetojnë atje.

“Tërë kohën i ngre problemet me të cilat përballen shqiptarët, por edhe të tjerët. Unë vazhdimisht jam në kontakt si me Ambasadën e Shqipërisë, ashtu edhe me të Kosovës dhe do të vazhdojë ta bëj këtë”- ka thënë ai.

Ai ka shtuar se pas katër vjetësh nëse shkon puna për së mbari do të garojë edhe për mandatin e katërt të deputetit. Dibrani ka treguar se ishte 7 vjeç kur është shpërngulur nga Mitrovica bashkë me familjen në vitin 1992 për në Suedi.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu