Turqia po bëhet gati për sanksionet e Amerikës lidhur me sistemin raketor rus S-400

Ministri turk i mbrojtjes, Hulusi Akar, tha se vendi i tij është duke u përgatitur për sanksionet e mundshme të Shteteve të Bashkuara për shkak të blerjes së sistemit mbrojtës raketor “S-400” nga Rusia.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Ankaraja që ta anulojë marrëveshjen për blerje të sistemit rus dhe aleatët e NATO-s kanë shprehur shqetësime për rrezikun potencial e mundshëm që ky sistem paraqet për aeroplanët luftarakë të tipit “F-35”, të cilët prodhohen nga ShBA-ja.

Uashingtoni e ka paralajmëruar Ankaranë se mund të përjashtohet nga programi për prodhimin e aeroplanëve luftarakë dhe të përballet me ndëshkime financiare, nëse e zbaton marrëveshjen e nënshkruar me Rusinë për blerjen e sistemit “S-400”.

Duke folur para gazetarëve të martën, ministri Akar tha se në bisedimet e fundit me Uashingtonin, Ankaraja ka vërejtur zbutje të qëndrimit dhe qasje të re për këtë çështje. Megjithatë, ai tha se Turqia është duke bërë përgatitje dhe po i shqyrton të gjitha opsionet ndaj sanksioneve të mundshme amerikane për blerjen e sistemit.

Akar gjithashtu tha se personeli ushtarak i Turqisë është duke kryer trajnime për përdorimin e sistemit mbrojtës raketor “S-400”. Në anën tjetër, Uashingtoni ka thënë se do ta tërheqë ofertën për t’ia shitur Turqisë sistemin mbrojtës “Patriot”, shkruan “Free Europe”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu