Turqia, Rusia dhe Irani në mbledhjen e 12-të me temë Sirinë që u zhvillua në kryeqytetin Nur Sultan të Kazakistanit, kanë dënuar vendimin e SHBA-së që njeh sovranitetin e Izraelit mbi Lartësirat e Golanit nën okupim, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ditën e dytë të mbledhjes palët zhvilluan takime në formatin teknik dypalësh dhe trepalësh për të arritur një dakordësim mbi deklaratën përfundimtare.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kazakistanit, Mukhtar Tleuberdi, ka lexuar deklaratën e mbylljes së seancës kryesore ku u takuan delegacionet e Turqisë, Rusisë, Iranit, regjimit sirian dhe opozitarëve.
Palët në deklaratë riafirmuan angazhimin e tyre të fuqishëm për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe nënvizuan se këto parime duhet të respektohen globalisht, dhe se pa dallim të palëve dhe veprimeve këto parime nuk duhet të minohen.
Në lidhje me këtë, në deklaratën e përbashkët thuhet se “Vendet garantuese dënojnë me forcë vendimin e administratës amerikane për të njohur okupimin e Izraelit mbi Lartësirat e pushtuara të Golanit, që përbën një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht Rezolutën e Këshillit të Sigurimit (KS-OKB) me nr. 497 dhe i cili kërcënon paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme”.
Po ashtu në deklaratën ku bëhet e ditur se do të tregohet një qëndrim i përbashkët kundër axhendave separatiste që synojnë sigurinë kombëtare të vendeve fqinje, theksohet se do të vazhdojnë konsultimet mbi gjendjen në verilindje të Sirisë dhe në këtë kuptim, siguria dhe stabiliteti në rajon mund të arrihet vetëm duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Sirisë.
Në Idlib do të vazhdojnë patrullimet e koordinuara
Në deklaratë u nënvizua se do të vazhdohet lufta kundër DEASH, Frontit Nusra, Hejet Tahrir Sham dhe personave që ndodhen në listën e terrorit të KS-OKB-së.
Palët diskutuan mbi situatën në zonën për uljen e tensioneve në Idlib, duke u dakordësuar që të zbatohet tërësisht nëse është e nevojshme Marrëveshja e Soçit më datë 17 shtator 2018 si dhe duke përfshirë patrullat e koordinuara dhe funksionimin efektiv të Qendrës së Koordinimit të Përbashkët Turqi-Rusi-Iran.
Më tej është vënë theksi se palët shprehën bindjen e tyre se nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake për konfliktin sirian dhe riafirmuan angazhimin e tyre për avancimin e procesit politik nën vëzhgimin e OKB-së.
Me të dërguarin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir O. Pedersen, janë mbajtur konsultime trilaterale, thuhet në deklarë ku potencohet se është vendosur që në Gjenevë të mbahen takimet për përshpejtimin e punimeve për formimin e Komitetit Kushtetues dhe të mbledhjeve për takimet e ardhshme konsultuese në lidhje me këtë çështje.
Libani dhe Iraku do të ftohen si vende vëzhguese
Në vlerësimin e bërë për shtimin e vendeve të reja vëzhguese në formatin e Astanas, palët janë dakorëduar për të ftuar Irakun dhe Libanin si fqinj të Sirisë.
Një tjetër çështje që përmendet në deklaratën e përbashkët është edhe lirimi në mënyrë të ndërsjellë të disa personave që janë arrestuar nga palët në konflikte gjatë nëntorit 2018, shkurt dhe prill 2019, ku për këtë është thënë se grupet e interesuara për këtë temë do të vazhdojnë përpjekjet e tyre në këtë drejtim.
Gjithashtu është theksuar nevoja për vazhdimin e ndihmës humanitare për të gjithë popullin sirian në të gjithë vendin pa parakushte dhe i është bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, kryesisht OKB-së që të rrisë ndihmat për Sirinë.
Ndërkohë është njoftuar se takimi i ardhshëm do të zhvillohet në korrik në Nur Sultan.









