Hetimet kundër zyrtarëve të pushtetit të kaluar, por edhe të tanishëm të dyshuar për vepra penale nuk mund të mbyllen apo të anulohen bazuar në mendimin e Gjykatës Supreme se Prokuroria Speciale për shkak të skadimit të mandatit, duhet të ndërpresë dhjetëra hetime, apo procese që ka nisur pas datës 30 qershor të vitit 2017. Kështu vlerësojnë nga Prokuroria e Rregullt, por edhe njohës të çështjeve juridike duke kundërshtuar vendimin e Supremes, por edhe duke mos përjashtuar mundësinë që hetimet të vazhdojnë nga Prokuroria e Rregullt.
Prokurori i Shtetit, Lubomir Jolevski, nuk e ka përjashtuar mundësinë që këto lëndë gjyqësore të kalojnë në kompetencë të tij, nëse kjo e drejtë i merret Prokurorisë Speciale, e cila hetimet i ka nisur nga dëshmitë që kanë dalë nga afera e përgjimeve.
Bashkim Selmani, profesor i së Drejtës Ndëshkimore, thotë se Prokuroria Speciale dhe Gjykatat nuk duhet të pengohen në kryerjen e detyrimeve lidhur me shpërdorimet e ish-zyrtarëve. Ai thotë se motoja e punës së Qeverisë aktuale ishte “drejtësi për të gjithë” dhe kjo, sipas tij, nuk mund të arrihet me vendime të tilla.
“Kjo, thjesht, është një amulli dhe një amnisti në heshtje. Në forma të ndryshme u dëshmua se edhe kjo qeveri, sikur edhe qeveritë e tjera që nga pavarësia e Maqedonisë, ia kanë shtrirë dorën njëra-tjetrës dhe kjo është e keqja e vetë besimit dhe e funksionimit ndaj shtetit të së drejtës”, thotë Selmani.










