Vetëm një ditë pas krijimit të qeverisë vjen përplasja e parë politike në Kosovë

Një ditë pasi u formua qeveria e Kosovës, ka nisur edhe lufta politike mes palëve politike. Shkëndija e parë vjen mes Presidencës të Hashim Thaçit dhe Kryetares së Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani. Shkaku është një veprim që ka bërë kryeparlamentarja, që në ditën e saj të parë që është ulur në zyrën e këtij institucioni. Në takimin që pati me ambasadorin e SHBA-së, mediat kanë pikasur në zyrën e Osmanit fotografin që varet në mur, e cila ishte hequr fotografin e Hashim Thaçit dhe ishte zëvendësuar me atë të Ibrahim Rugovës.

Për këtë, ka reaguar zyra për Komunikim me Publikun e Presidencës së Kosovës, ku kanë thënë që Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligjin për Protokollin e Shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit.

Zyra e Presidentit ka thënë se Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të duhej të ishte shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit.

“Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligjin për Protokollin e Shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të duhej të ishte shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit. Nuk e dimë nëse është e vërtetë ajo që është raportuar, por një veprim i tillë gjithsesi që do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu