Ministri i punëve të brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, i tha medias ruse RIA se Serbia së shpejti do të blejë armatimin dhe pajisjet më të reja nga Rusia. Refuzoi të japë detaje shtesë ama deri sa të kryhet sipas tij.
Sipas Vulin në kuadër të marrëveshjeve dhe kontratave ekzistuese, ushtria e policia serbe do të marrë pajisjet dhe armatimin më modern nga Rusia.
Këtë e ka thënë për agjencinë ruse të lajmeve RIA Novosti por nuk dha detaje, por shtoi se si ushtria, po ashtu edhe policia serbe do të bëhet edhe më e fortë. “Për këtë nuk mund të flasim deri sa të ndodhë. Por, është absolutisht e sigurt që ushtria e policia do të blejnë teknologjinë më moderne, mes tjerash edhe ato që prodhohen në Federatën Ruse” tha ai.
Vulin përsëriti premtimin e pushtetit aktual serb për qëndrimin neutral ushtarak të Serbisë, duke u zotuar se s’do të mbështesin sanksione ndaj Rusisë dhe nuk do të anëtarësohen në NATO. Vulin u betua edhe në emër të shefit, presidentit serb Vucic.
“Sa të jetë president i Serbisë, Aleksandar Vucic, dhe derisa jam unë në strukturat e sigurisë, Serbia nuk do të bëhet anëtar i NATO’s dhe do të kujdesemi shumë që të ruajmë neutralitetin tonë ushtarak” theksoi ministri.
Vulin vazhdoi me lajka populliste duke folur në emër të të gjithë serbëve të të gjitha kohërave se Serbia kurrë nuk do të mbështesë histerinë antiruse dhe s’do të vendosë sanksione, e duke shtuar ca histeri të veten.
“Historia ka dëshmuar se çdo rusofobi është gjithashtu serbofobi. Kurrë nuk ka ndodhur që dikush ka sulmuar Rusinë e nuk ka sulmuar Serbinë, kjo është rregull” sipas Vulin.









